Telegrafi

Ndahen edhe 4.4 milionë euro për vazhdimin e punimeve në Stadiumin e Prishtinës

Për renovimin e Stadiumit të Prishtinës, ku pritet që dhe Përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë ndeshjet është nevojitur buxhet shtesë dhe për këtë punët kishin stagnuar edhe pse puna nuk është ndalur. Tashmë punët pritet të kryhen pasi tenderi është nënshkruar. 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nënshkruar tenderin me kompaninë fituese ‘Al Trade’ ne vlerë 4 milionë e 471 mijë eurove për vazhdimin e punëve në Stadiumin e Prishtinës.

Kjo është bërë për shkak se edhe shumë punë në stadium kanë mbetur pezull deri në përfundimin e  tij.

Tenderin e ka fituar kompania “Al Trade” që deri më tani i ka kryer punimet në stadium.

“Punët e pa parapara me projektin kryesor si dhe me kontratën për Renovimin e Stadiumit të Qytetit në Prishtinë, pozicione të Kategorisë së IV-të të Stadiumeve – Rregullorja e UEFA-së të kërkuara domosdoshmërish për tu licencuar nga  UEFA/FIFA”, shkruan në njoftimin e shpallur nga Komisionin Rregullativ i Prokurorimit Publik.

Pamja nga stadiumi (Foto: Kosovan football)

‘Al Trade’ e ka fituar këtë tender pa pasur konkurrencë, pasi në njoftim thuhet se vetëm ata kanë konkurruar.

Kjo kompani i ka kryer punët deri më tani, ndërsa stadiumi ka marrë pamje tjetër edhe pse duhet ende punë për përfundimin e tij.

Kontrata mes kompanisë fituese dhe Ministrisë së Kulturës është nënshkruar më 13 shkurt të këtij viti.

Rrethojat e stadiumit (Foto: kosovan football)

Stadiumi duhet të bëhet gati deri më muajin maj, ndërsa në qershor duhet të zhvillohet një ndeshje testuese për tu pranuar pastaj nga komisionet e UEFA-s.

Punimet kanë filluar në verën e viti 2016 dhe në verë bëhen dy vite prej se ka filluar rinovimi i stadiumit.

Kryetari i FFK-se, Fadil Vokrri e kishte paralajmëruar një kontratë shtesë për punët e mbetura pezull në emisionin ‘Përballje’ të Telgrafit.

Vokrri në studion e Telegrafit

“Nevojitet një kontratë për punë shtesë dhe jemi në rrugë të mirë. Por, kemi nevojë për buxhet shtesë dhe kemi premtim nga kryeministri dhe ministri se ato do vijnë”.

“Deri në fund të marsit është afati i fundit, por mund të ketë tolerime. Në muajin qershor të 2018 mund të bëhet një ndeshje testuese”, kishte thënë Vokrri.

Kosova ka siguruar dy ndeshje në muajin mars të cilat do t’i zhvillojë jashtë vendit, ndërsa klubi Prishtina ndeshjet si vendas i zhvillon në Pejë. /Telegrafi/