Telegrafi

Ndahen 50 mijë euro për realizim të projektit të votuar nga banorët e fshatit Livoç i Ulët

Po vazhdon mbajtja e dëgjimeve publike për buxhetimin me pjesëmarrje, ku banorët e fshatrave të qytetit të Gjilanit japin propozimet e tyre për projektet që duan të realizohen.

Dje është mbajtur dëgjimi publik me banorët e fshatit Livoç i Ulët, ku parku në qendër të fshatit, rregullimi i parkut pranë rrugës “Ekrem Shabani”, kënd i lojrave dhe rregullimi i ndricimit në fshat ishin pjesë e listës së propozimeve.

Në kuadër të projektit të Komunës së Gjilanit, banorët e këtij fshati kanë vendosur rregullimin e parkut për realizim.

Ky projekt mori mbështetjen më të madhe të votave nga 80 banorë sa ishin të pranishëm në proces, derisa parku do të nis së ndërtuari vitin tjetër dhe vlera do të jetë 50 mijë euro.

Procesi u vëzhgua nga drejtoresha e Administratës së Përgjithshme Arbenita Sopi, drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë Bekim Salihu, drejtoresha për Buxhet dhe Financa Herolinda Murati – Leka, drejtori i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit Kushtrim Ibrahimi, si dhe përfaqësues nga USAID-i.

Ndryshe, takimi me radhë do të jetë me banorët e fshatit Kravaricë në kuadër të buxhetimit me pjesëmarrje. /Telegrafi/.