Komuna e Shtimes, ka njoftuar se tashmë 100 student të dalluar janë përfitues të bursave për vitin akademik 2023/2024 të cilët studiojnë në universitete të ndryshme.
Për dhënien e këtyre bursave tashmë janë nënshkruar edhe kontratat me studentët shtimjan.
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se është kënaqësi e jashtëzakonshme ndarja e 100 bursave për 100 studentë të mrekullueshëm.
“E dimë se sa e rëndësishme është kjo kategori e shoqërisë sonë. Ju studentë jeni elita e shoqërisë dhe ne nga ju presim që të dalin kuadro prej të cilëve do të udhëhiqet qyteti e shteti. Jemi krenarë që po ndajmë këto bursa. Suksese të gjithë studentëve tanë dhe kujtojeni gjithnjë që ju jeni forca që do ta transformoni të ardhmen dhe neve na keni krah jush në këtë mision të përbashkët ”, ka thënë Aliu.
Drejtoresha e Arsimit Yllka Fejzullahu ka thënë se ka pasur ndryshime në rregulloren komunale sa u takon ndarjes së bursave.
“Përveç ndarjes së bursave që këtë vit ishin numër rekord, po ashtu kemi bërë edhe një ndryshim të rregullores komunale e cila më parë nuk ishte, e që tani ju mundësohet që edhe studentët e komunës sonë që studiojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për bursë”, ka thënë ajo.