Sonte në Teatrin e qytetit të Gjilanit, në natën e dytë të Festivalit të dramës origjinale shqipe “Talia e Flakës”, vjen shfaqja Stiffler.
Stiffler” është rrëfim për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës për një sistem që e ka të internalizuar bindjen se trupi i një gruaje të “pamoralshme” më parë duhet të gjykohet vetë si vepër penale se sa të shikohet si dëshmi e një krimi të dhunshëm.
Përvec kësaj, është rrëfim për lehtësinë e amnistimit të dhunës, keqbërësit, e krimit të kryer në emër të virtyteve të shoqërisë.
Shfaqja e përshkruan një grua mbi të 40-tat, e cila në një mëngjes të rëndomtë futet në dhomën e pranimit të emergjencës së spitalit me një thikë të ngulur në shpinë.
Institucionet shëndetësore me të kuptuar natyrën e punës së saj, e fusin atë në një cikël brutal të marrjes në pyetje, shqyrtimit krejtësisht banal të rrethanave, motivit; e kundërshtojnë me diskurs administrativ kërkesën e saj të thjeshtë për mjek, për trajtim, për drejtësi, duke e shpërfillur thirrjen e saj të sinqertë për ndihmë, dhe duke refuzuar me arrogancë ta shohin thikën në shpinën e saj si krim. /Telegrafi/