Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, thuhet se nuk e ka përjashtuar shitjen e Lorenzo Insigne këtë verë, pasi kontrata e kapitenit skadon në qershor të vitit 2022.
Luciano Spalletti thuhet se është afër të marrë drejtimin e Napolit dhe duhet të nënshkruajë një marrëveshje dy-vjeçare me Azzurrët.
Ish-trajneri i Interit dhe Romës pritet të zëvendësojë Gennaro Gattuson në Stadio Diego Maradona, por presidenti nuk mund të garantojë se do të mbajë kapitenin në skuadër.
Sipas mediumit Tuttomercatoweb, bisedimet midis De Laurentiis dhe Spallettit filluan janarin e kaluar dhe ndërsa ata janë afër arritjes së një marrëveshje, presidenti ka qenë gjithmonë i qartë për strategjitë e tregut të transferimeve.
De Laurentiis do të punojë në rinovimin e kontratës së 29-vjeçarit, por nuk ka përjashtuar një shitje të mundshme këtë verë, për të shmangur një transferim falas verën e ardhshme.
Insigne e ka kaluar tërë karrierën e tij te Napoli, me huazime te Cavese, Foggia dhe Pescara në fillim të karrierës së tij për të fituar përvojën e kërkuar para se të hynte në ekipin e parë.
Ai shënoi 19 gola në 35 ndeshje të Serie A me Napolin këtë sezon dhe ndihmoi klubin të përfundonte në vendin e pestë në Serie A nën urdhrat e Gattusos.
Por, Spalletti është paralajmëruar se kapiteni mund të largohet këtë verë, nëse ai nuk nënshkruan një marrëveshje të re përpara sezonit të ri. /Telegrafi/