Një armëpushim i arritur nga Armenia dhe Azerbajxhani ka hyrë sot në fuqi nga ora 8 (ora lokale), për t’i dhënë fund luftimeve midis të dyja palëve mbi rajonin e diskutueshëm Nagorni –Karabaku.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët në rajonin e diskutueshëm dhe forcat azere akuzuan njëra-tjetrën për hedhjen e raketave në zonat civile të shtunën, pak para se të fillonte armëpushimi.
Armëpushimi erdhi pas 10 orësh bisedime midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Moskë, kështu njoftoi Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Lavrov deklaroi se të dyja vendet do të fillonin bisedimet “thelbësore”.
Ndërkohë, pak para zbatimit të armëpushimit të dyja palët thuhet se ishin përplasur mes vete.
Përplasjet përpara armëpushimit
Avokati i popullit në rajonin Nagorni-Karabaku, Artak Beglaryan, tha se Azerbajxhani hodhi raketa në zonat civile të qytetit Stepanakert.
“Baku përdor të njëjtat veprime të stilit të krimeve të luftës deri në momentin e fundit”, tha Beglaryan.
Ndërkohë, në anën tjetër, Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan, tha se forcat armene po bombardonin zonat e tyre civile.
“Forcat e armatosura armene po bombardojnë intensivisht zonat e populluara në Geranboy, Terter, Agdam, Agjaberdi dhe Fizuli. Azerbajxhani po merr masa reciproke”, tha ministria në një deklaratë. /Telegrafi/