Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka anuluar aktivitetet e parapara për sot në qytetin e Vitisë ku në agjendë kishte përurimin e një shkolle dhe një çerdheje në dy fshatra të kësaj komune.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga MASHTI.
“Ju njoftojmë se janë anuluar aktivitetet e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të parapara që të mbahen ditën e sotme në Viti”, thuhet në njoftim.
Anulimi i përurimit të këtyre objekteve siç duket erdhi si rezultat i asaj që në të njëjtat nuk janë kryer ende punimet.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti përmes një njoftimi bëri të ditur se punimet në objektin e ri shkollor në Pozheran dhe çerdhen publike në Drobesh, janë duke u zhvilluar ende.
“Komuna e Vitisë, përmes një shkrese zyrtare më datë 06.01.2025, rreth orës 15:34, është njoftuar nga Ministria e Arsimit se përurimi i objektit të Sh.F.M.U. “Halil Alidema” në Pozheran dhe i çerdhes publike në Drobesh do të bëhet më datë 08.01.2025, me fillim në orën 10:00.
Me këtë rast, unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, ka thënë Haliti.
Ai ka shtuar se kërkesë e tij e vazhdueshme ka qenë që punimet e mbetura të finalizohen sa më parë, që objekti të pranohet teknikisht dhe që nxënësit e këtij vendbanimi të vendosen në bankat shkollore me orar të plotë.
“Po ashtu, vlen të përmendet që punimet në këtë objekt shkollor kanë filluar që nga viti 2016. Ndërkaq, lidhur me çerdhen publike në Drobesh të Vitisë, e cila është financuar me buxhetin komunal, ju njoftojmë se do të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës, me qëllim që filizat e rinj t’i pranojmë sa më parë në këtë çerdhe publike”,ka thënë Haliti. /Telegrafi/