Poezi nga: Alberto Frattini
Përktheu: Maksim Rakipaj
Kur të gjithë zërat meken
qielli fillon të zbehet
dhe flladi vjen mu si përkëdhelje
e një engjëlli të trishtë mbi kopshtet e bardhë,
në zemrën time zbres në heshtje.
Gjithësia hesht e zhytur
në bardhësinë e kaltërsisë,
pa dritë është toka, por nata
ende s’ka çelur lulen e saj plot yje.
Tani gjithçka përgjumet,
mbetur si e shtangur,
nga muzikë e largët përkundur.
Në këtë qetësi përhumbem dhe nuk shoh tjetër
veç dritës së vagëlluar të ëndrrave të mia.