Hapja zyrtare e Muzeut të Nënë Terezës në Prizren do të realizohet të hënën më 17 shkurt 2025, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në agjendën e publikuar për këtë përvjetor, Komuna e Prizrenit ka njoftuar edhe për hapjen e këtij muzeu, që realizohet në bashkëpunim me CHwB Kosova dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipas organizatorëve, pas restaurimit dhe funksionalizimit, muzeu në fjalë është gati për vizita dhe aktivitete kulturore.
Edona Rugova nga CHwB Kosova, javë më parë, pati sqaruar se Muzeu, si pjesë e peizazhit kulturor të Qendrës Historike të Prizrenit, i dedikohet jetës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës.
“Ekspozita momentale e muzeut përfshinë informata dhe dokumente për jetën personale dhe veprimtarinë e Nënë Terezës, duke përfshirë fëmijërinë e saj, misionin dhe në përgjithësi jetën e saj”, ka deklaruar ajo.
Muaj më parë, pjesëtarët e komunitetit patën kërkuar përshpejtimin e hapave drejt funksionalizimit të këtij Muzeu.
Kjo ngase historia e ndërtimit të këtij Muzeu është e gjatë. Projekti i kontraktuar në vitin 2010 nga MKRS-ja me raporte zyrtare kishte përfunduar në vitin 2012. Tek në mesin e vitit 2014 ishte dhënë drita e gjelbër për pranimin teknik të objektit, por përkundër kësaj Muzeu nuk ishte funksionalizuar.
Ekspozita dedikuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës në Prizren qe hapur me 5 shtator 2022, në 25-vjetorin e kalimit në amshim të saj, me pjesëmarrjen e liderëve shtetërorë, raporton Telegrafi.
Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.
Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës gjendet afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut. /Telegrafi/