Site icon Telegrafi

Mustafi nuk pati kohë të shijonte golin, ja arsyeja

Qendërmbrojtësi shqiptar i Përfaqësueses së Gjermanisë, Shkodran Mustafi, thotë se nuk ka pasur kohë të shijonte golin e tij të parë që e shënoi me fanellën e Gjermanisë.

Mustafi shënoi golin e parë në fitoren 2:0 të kampiones së botës Gjermanisë ndaj Ukrainës në ndeshjen e parë të saj në “Evropianin 2016”.

“Që nga e hëna gjithë koncentrimi im ka qenë te ndeshja e radhës me Poloninë. Në një turne të tillë ka pak kohë për të shijuar momentet, siç ishte shënimi i golit të parë. Në Evropian nuk ka kundërshtarë të lehtë, të gjithë mund të luajnë futboll dhe të mbrohen. Për këtë arsye nuk ka favorit. Në fund ngadhënjen përfaqësuesja që është përgatitur në mënyrën më të mirë”, ka thënë Mustafi.

Në konferencë ai është pyetur edhe për një informatë se një adhurues ka dashur t’ia lërë emrin të birit sipas golashënuesit të parë të Gjermanisë në “Euro 2016”. Adhuruesi kishte qenë i sigurt se Mustafi nuk do të shënonte.

“Unë nuk e di se si do të quhet tash. Unë kam dëgjuar për këtë dhe shokët më kanë informuar. Por nëse do të quhet Shkodran, atëherë me kënaqësi Shkodranin e vogël do ta qeras me një akullore”, ka thënë Mustafi duke qeshur.

Exit mobile version