Mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi është i lumtur që është përfshirë në listën finale të Gjermanisë për “Euro 2016” dhe thotë se është i gatshëm të luajë në cilëndo pozitë të mbrojtjes që trajneri kërkon.
Ai është qendërmbrojtës, por thotë se mund të luajë edhe si mbrojtës i djathtë, shkruan sot Koha Ditore.
“Unë nuk jam person që kërkon. U përkushtohem stërvitjeve për të qenë i gatshëm dhe në fund është trajneri që vendos. Nuk kam biseduar me trajnerin. Unë jam për ekipin. Unë e konsideroj veten të nderuar që trajneri ka besim në mua për ta plotësuar pozitën e mbrojtësit të krahut. Jam mësuar dhe mund ta ndihmoj ekipin në pozicione të ndryshme”, ka thënë Mustafi në një intervistë dhënë “dichajes.com” të martën.
Mbrojtësi nga Gostivari gjatë kampionatit botëror të vitit 2014, të cilin e fitoi Gjermania, luajti në rolin e mbrojtësit të krahut të djathtë. Në ish-skuadrën e tij Sampdoria dhe tash në Valencia luan si mbrojtës i qendrës.
“Supozojmë që trajneri thotë se nuk i përshtatem konceptit të tij që të luaj si mbrojtës i qendrës. Atëherë unë duhet të jem i lumtur në qoftë se vetëm mund të jem pjesë e mbrojtjes. Unë nuk jam një njeri që ankohem. Por natyrisht se më lehtë është të luash në një pozitë ku luan edhe në klub. Por unë gjithmonë jam i gatshëm të përballem me sfida të reja”, ka theksuar Mustafi.