Shumë prej jush e kanë një ide, por këtë mund ta shpjegojë më mirë se kushdo Shkodran Mustafi, shoku i tij i skuadrës tek Arsenali.
Mbrojtësi i kombëtares gjermane është i vetëdijshëm se të enjten (20:00), në ndeshjen me Kilin (e vlefshme për Kupën e Konfederatave), do të vuajë shumë në duelet me sulmuesin. Sipas tij, “Alexis është një nga më të mirët në botë” dhe për këtë askush nuk ka dyshime.
“Rrallë kam parë lojtarë kaq të motivuar sa ai”, ka thënë Mustafi në një intervistë për revistën “Sport Bild”.
“Sapo merr topin, të gjithë e dinë se diçka do të ndodhë. Ai mund të ndalet edhe kur është në shpejtësi të plotë dhe të gjuajë. Pra, kurrë nuk e di se ç’të pret. Në çdo rast është e këshillueshme që të mos e gjesh veten në duel tek për tek me të, por ta markosh në grup”, – ka shtuar ish-lojtari i Valencias.
I pyetur për të ardhmen e kilianit, Mustafi tha se shpreson që ta shohë edhe vitin tjetër në Londër. Për 28-vjeçarin kanë interes Bayern München dhe Manchester City.
Ndërkohë, ende nuk dihet nëse Sanchez do ta nisë si titullar kundër Gjermanisë. Të hënën (me Kamerunin) ai luajti vetëm në pjesën e dytë, ngaqë ka probleme me kyçin e këmbës. /telesport/