Telegrafi

​Gërvalla vazhdon takimet në Bujanoc, garanton përkrahjen e Kosovës në shumë fusha

Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë të Luginës së Preshevës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, u prit në takim sot nga kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Enver Ramadani me bashkëpunëtorë.

Sipas zyrës për media të MPJD, në kuadër të këtij takimi, mes tjerash, u trajtuan tema të fushëveprimit të spektrit politik të Luginës, gjendjes në lidhje me funksionimin e institucioneve qeverisëse lokale si dhe diskriminimin politik dhe institucional të institucioneve qendrore të Serbisë kundrejt detyrimit të zbatimit të të drejtave politike, institucionale dhe qytetare të shqiptarëve të Luginës.

Sipas komunikatës, Ramadani ka prezantuar shifrat diskriminuese në fushën e punësimit të shqiptarëve të Luginës, qoftë në ndërmarrje a kompani publike, qoftë në institucione të drejtësisë, të shëndetit primar, apo në raport me gjendjen civile.

“Ministrja Gërvalla theksoi se institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të ofrojnë përkrahje të vazhdueshme financiare, ekonomike dhe në drejtim të lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Luginës që jetojnë në Kosovë. Për këtë, ajo garantoi që përkrahja do të shënoj rritje sistematike”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se Gërvalla ka ngritur edhe çështjen e identifikimit të formave dhe instrumenteve të përkrahjes.

“Në këtë kontekst u theksua se duhet pasur vëmendje të shtuar në përkrahjen e projekteve të punësimit të të rinjve, veçmas investimi në arritjen e shkathtësive. Ajo i inkurajoi bashkëbiseduesit që të eksplorojnë mundësitë e binjakëzimit me komunat e Republikës së Kosovës, por edhe mundësitë e aplikimit për fonde të BE-së, ku përfitues do të mund të ishin komunat e Republikës së Kosovës dhe komunat nga Lugina”, vijon komunikata e MOJD.

Gjithashtu, takime pati edhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa. Gërvalla i njoftoi përfaqësuesit e Këshillit, që kjo vizitë dhe takimet konsultative janë pjesë e një qasje gjithëpërfshirëse dhe pragmatike institucionale në përkrahje të Luginës.

Sipas ministres Gërvalla, kjo qasje mes tjerash ka për qëllim që ta sensibilizojë komunitetin ndërkombëtar për sfidat nëpër të cilat po kalojnë shqiptarët e Luginës.

Në kuadër të takimit, Gërvalla i informoi përfaqësuesit e Këshillit, që ajo, por edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, janë të përkushtuar që të ofrojnë përkrahje sektoriale dhe në këtë frymë planifikohen dhe priten edhe vizita të tjera.

Nga ana e tij, kryetari Mustafa shtroi sfidat dhe problemet me të cilat përballën shqiptarët e Luginës, duke vendosur theksin në diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve në punësim, në kornizë ligjore, përmes vendimmarrjes diskriminuesee e përjashtuese dhe në forma të tjera.