Bisedoni me Mustafë Halilin, njeriun që për gjysmë shekulli është mishëruar me kulturën.
Bisedoi: Gazmend Kajtazi
Z. Mustafë, a mund të na thoni për fillim se cili është rrugëtimi juaj i jetës prej një fshati të vogël të Hasit të Thatë e deri te majat e larta të kulturës së kryeqytetit të Kosovës?
Fati e deshi që në një fshat të vogël nga një familje e madhe doli një njeri i vogël, i cili që nga fëmijëria e hershme ëndërronte të bëhej mësues katundi. Vëllezërit e mi më të vjetër, Hyseni dhe Xhaferi (pasi prindërit nuk i kishim të gjallë), më morën për dore dhe më dërguan në Shkollën Normale “Hysni Zajmi” në Gjakovë. Pikërisht këtu doli sfida e parë. Administratori i shkollës më tha se nuk mund të regjistrohesha, sepse mungon certifikata e lindjes. Kur shkova ta nxjerr këtë dokument në “zyrën e vendit”, doli sfida e dytë edhe më e madhe. Ofiqari më tha: “Ti djalosh, nuk jeni i regjistruar fare në librin e ofiqarisë”… Dreq o punë, pse të thyhej kerri bash te unë. Shpejt e shpejt i gjetëm dy pleq të cilët në mbamendjen e tyre për lindjen time thanë se kisha lindur në senen e qesatit (1946) kur kositen livadhet. U regjistrova për herë të parë në ofiqari kur i kisha 15 vjet. Dhe ia nisa rrugëtimit tim – sa të dashur, po aq të vështirë. Mësimet ishin mësime, notat ishin nota, herë të mira e herë të dobëta. Por, qysh nga klasa e dytë hetova afinitetet e mia për aktivitetet kulturore. Harrova ëndrrën time për mësuesin e fshatit dhe ia mësyna Prishtinës për t’u regjistruar në Fakultetin Filozofik, në degën e Pedagogjisë që të bëhem profesor pedagogjie. As prej kësaj pune nuk doli gjë. Unë fakultetin e kreva, por kurrë ditarin nuk e mora në dorë. I çmendur nga dëshirat që të bëhem punëtor kulture, qysh në vitin e parë të studimeve fitova besimin për të udhëhequr Shoqërinë Kulturo-Artistike të Universitetit të Prishtinës, “Ramiz Sadiku”. E them pa modesti se me përkrahjen e shokëve të atëhershëm dhe strukturave udhëheqëse të Rektoratit, u arritën suksese të mëdha dhe më doli emri si organizator i mirë.
Po, me opinga prej llastiku (të gomës), me një biçikletë të bacës Xhafë që më shumë ishte prishur se sa e ndrequr, për çdo ditë nga 22 kilometra në dy drejtime, e herë edhe në këmbë, nëpër çarshitë e Gjakovës duke ngrënë bukë me hashure pas mësimit. Besimi te Zoti dhe te vetvetja thyen dyert e hekurta: eca vertikalisht përpara. Një njeri i madh nga Lugishta e Hasit (Sheih Ibrahimi) gjithmonë më thoshte: “Mos shiko prapa, shiko dhe ec përpara”. Shumë i besoja… ai ishte udhërrëfyesi im.
“Kiameti” në Qendrën e studentëve më vitin 1974
Për shumë vjet keni punuar në RTP. Keni qenë “alfa dhe omega” e programit humoristik që ishte në kuadër të Programit artistik e kulturor në RTP-në e atëhershme. Çka kujtoni nga ajo kohë? Çka keni bërë diçka që e mbani mend apo çka nuk keni mundur të bëni, pra që e keni pasur të ndaluar ta bëni?
RTP-ja është një episod i veçantë në jetën time. Aty i lash vitet më të mira të jetës sime. E them pa rezervë se televizioni është si “zhuga”. Po t’u ngjit njëherë vështirë se të hiqet. Unë që nga viti 1974 isha regjistruar në studimet pasdiplomike në Zagreb në degën e informatikës, kurse punoja në Qendrën e Studentëve. “Krisi kiameti”, u mbushën konviktet me parulla dhe pamflete “armiqësore” -”Rroftë Kosova Republikë”, “Rroftë Shqipëria”, “Rroftë Enver Hoxha”, “Rroftë Marksizëm- Leninizmi” etj. Për dy javë na fshijnë të gjithëve. Na larguan nga vendet udhëheqëse: së pari drejtorin Mahmut Gërmizaj – psikolog, një njëri i mrekullueshëm; zëvendësdrejtorin nga radhët e studentëve – Ukë Bashota, po ashtu njeri shumë i mirë.
Shumë shkurt po mundohem tua them një “barsoletë”. Në dhomën time në konviktin nr. 3, e kisha një dhomë si shef që isha dhe aty kisha fshehur një fotografi të Enver Hoxhës. Kur u shkruan ato parulla, policia filloi t’i bastis të gjitha dhomat. Unë shkova në dhomë, e mora fotografinë e Enverit dhe e futa në xhep. Me të dalë nga dhoma e takova Ukë Bashotën dhe i tregova çfarë halli kisha. Ai, si një patriot që ishte, ma mori foton dhe udbashgjinjve u tha se po shkon në konviktet tjera dhe kështu fotoja doli nga konvikti nr. 3. Nga krejt kjo hallakamë, u bë një burgosje e madhe e shumë patriotëve shqiptarë, ndër ta edhe tre shokë të ngushtë: Xhevdet Nasufi – jurist, Zydi Bilalli – mjek, Sadullah Zeqiri dhe Arif Rukiqi (Lifi) – nxënës i shkollës së mesme që kishte banuar ke i vëllai, shok i imi i pandarë për pesëdhjetë vjet Destan Rukiqi, i cili atë kohë ishte në shërbimin ushtarak (fati i tij).
Pasi na larguan nga Qendra e Studentëve, në një mënyrë mbeta pa punë. Në vitin 1975 edhe zyrtarisht kishte filluar punën Televizioni i Prishtinës. Konkurrova atje në vendin e punës producent për Programin Kulturo-Artistik. Isha shumë skeptik se do të pranohem pas atyre ngjarjeve në Qendrën e Studentëve, por doli një trim dhe më pranoi (R. Alaj). Fillova punën me entuziazëm të veçantë, sepse kisha gjetur një punë ashtu siç kisha ëndërruar tërë jetën. Bëja orarin xhirimeve, koordinoja dhe kontrolloja realizimin e emisioneve – duke filluar nga Programi për fëmijë, arsimor, muzikë, dramë dhe film. Eprorët e mi ishin tepër të kënaqur me punën time. Pos punës që bëja, fillova të shkruaj edhe skenarë për emisione të ndryshme për fëmijë, arsim e sidomos për emisione festive – për Vitin e Ri. Edhe këtu plasi sherri. Pas shumë bisedave informative në UDB, më thirrën në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë për të dëshmuar fajësinë apo pafajësinë e shokëve të mi të burgosur. Shkova atje. Korridoret dhe salla e Gjyqit ishin plot punëtorë të sigurimit shtetëror. Gati të gjithë shqiptarë që i njihja nga bisedat informative. Hyra në sallë dhe i pashë shokët e mi. Rrëfeva tregimin për të cilin më kishin thirrur dhe në fund thash një fjali: “Nëse këta njerëz janë fajtorë, jam edhe unë”, dhe dola. Shokët e mi u dënuan e më pastaj u liruan me një vendim të Kryesisë së Kosovës.
Të nesërmen sigurimcat erdhën në televizion dhe i kishin thënë drejtorit se si është e mundur që një njeri i tillë të punojë në këtë institucion kaq të rëndësishëm kur dihen qëndrimet e tij për shtetin. Edhe drejtori edhe sigurimcat ishin shqiptarë, dhe pasi kisha rezultate në punë, disi u mbyll kjo punë.
Mendoj se kemi bërë mjaft për kohën kur punonim. Flas për Programin Kulturo-Artistik. Por, një mobilizim i tillë ishte edhe në programet tjera. Çdo gjë bëhej ashtu si donim ne, por me mençuri. Programi muzikor filloi të mbledhë thesarin muzikor në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare jashtë Shqipërisë. U “zbuluan” shumë grupe artistike muzikore për të cilat gati nuk kishim dëgjuar fare: “Afërdita” e Mushtishtit, “Azem Galica” e Drenasit,” “Liman Kaba” nga Dibra, ”Besa” e Gostivarit, e shumë të tjera. Filluan xhirimet e dramave dhe filmave televiziv, si: “Era dhe lisi”, ”Kur pranvera vonohet”, “Epoka para gjyqit” e shumë të tjera. Filluan xhirimet e serialeve të ndryshme televizive për fëmijë; shumë emisione dokumentare për arbëreshët e Italisë, Zarës dhe Lidhjen e Prizrenit. Ishte një zgjim kombëtar në shiritin e televizionit që atëherë quhej i Prishtinës. Por, Kosova nuk kishte televizion tjetër. Kurrë nuk kam pasur dëshirë të veçoj emra në punën kolektive. Të gjithë si një për një qëllim: për të bërë program sa më të mirë. Më besoni, ndoshta jam subjektiv, por nuk dua të përmend kushtet në punë, pagat edhe disa probleme me disa njerëz që atëherë nuk ishin të përgjegjshëm për punën që bënim.
U avancova në postin e Redaktorit të Programit Shkollor që duhej ta themelonim. Të jem i sinqertë, kjo më bënte nder të madh, por nuk më flinte në shpirt, sepse mendjen dhe zemrën e kisha te programi artistik. Ndodhi “gafi i parë”, një mosmarrëveshje e imja dhe e disa kolegëve me redaktorin përgjegjës për programin arsimor dhe shkollor. Më transferuan pa dëshirë dhe pa pëlqim – redaktor i reklamave. Kjo ishte si masë “riedukimi” – një vit. U themelua Programi humoristik argëtues dhe më transferuan atje redaktor në redaksi.
Po. Shef të Redaksisë e kisha të madhin Muharrem Qena me të cilin njihesha sa isha te “Ramiz Sadiku” (kisha punuar dy shfaqje fenomenale) dhe ai më futi i pari në “zjarr” duke me thënë: “Bal, duhet ta shkruash skenarin”, për emisionin e parë që e pagëzuam “Pa pengesa” – emision i luajtur që duhej të zgjaste 60 minuta. Ishte ky nder dhe krenari e madhe për mua të bëja skenar për një emision shumë, shumë ambicioz për TVP-në, por përgjegjësi dhe frikë e madhe për mua. E punova skenarin për emisionin e parë që duhej të emetohej më 1 dhjetor 1980. Regjisor ishte shefi që për mua ishte më lehtë, sepse ai më mbante leksione se si punohet një skenar dhe, kështu, skenarë pas skenari Muharremi shkoi në Teatrin e atëhershëm Krahinor dhe unë u bëra kishe njëfarë shefi i kësaj redaksie. Bëmë një “këshill profesional” me autorë të njohur të fushës së humorit, si: Rifat Kukaj, Ramiz Kelmendi, Abdyl Bunjaku, Shaip Grabovci dhe Daut Demaku. Ishte detyrë e tyre të lexonin skenarët dhe të jepnin vërejtjet.
Ma jepni një Republikë, ju lutem!
Por, e qeshura e juaj ju ka kushtuar me një të “ngjeshur”. Për një fjalë goje (ma jep Republikën) jeni diferencuar e madje jeni kërcënuar edhe me largim nga puna? A na tregoni se për çfarë “gafi” ishte fjala atëherë?
E morëm një serial të huaj për ne. Por, ishte sa për ta ”mbushur” terminin që ishte në orët e vona të natës.
Dialogu i aktorëve në një shtëpi mallrash ishte ky: “Molim vas, dajte mi jedan šešir! (“Ju lutem, ma jepni një republikë”). “Nikad dosta šešira” (“Kurrë nuk kemi pasur republikë).
U bë nami, u kall televizioni. Përkthyesi ishte njeri mjaft i çmuar – prof. dr. Zeqir Sadiku. Redaktori dihet, redaktor përgjegjës H. Ulqinaku, lektor Fadil Bekteshi (nuk jeton më), titrues Ali Berisha. Krejt faji iu hodh redaktorit (mua) dhe lektorit.
Masa e parë: suspendim i përkohshëm nga puna, masa e dytë: përjashtim nga LKJ dhe pas përfundimit të procedurave disiplinore – largim nga puna. Mbledhja e partisë zgjati 10 orë dhe asnjëri nga kolegët e mi nuk votonte që unë të largohem nga partia (edhe sot i falënderoj për mbështetje) me përjashtim të dy-tre vetave që ishin në funksione të larta në RTP dhe kishin presion të madh nga jashtë për të marrë masa. Me kërkesën time që të votojnë për largim nga partia, puna u krye rreth sabahit. Atëherë kur duhej të largohesha nga puna, doli një trim tjetër që nuk jeton më, Nebi Gashi, kryetar i Komitetit të partisë për Prishtinë dhe tha: ”Kjo nuk është asgjë dhe lëreni njeriun rehat le të punojë”.
Megjithatë dënimi pasoi: redaktor në reklama. Emisionin humoristik duhej ta punoja; Redaksinë e programit Humoristik ta udhëhiqja në heshtje dhe tri vite të anatemohem – të mos më dalë emri në ekran në kurrfarë cilësie. Të jam i sinqertë, sa u hidhërova që më dënuan, aq u gëzova që nuk ma morën emisionin dhe redaksinë… Bile-bile, u bëra redaktor i dy redaksive! Te reklamat e merrja pagën, ndërsa punën e bëja në Programin Humoristik.
Më të gjitha këto të bëma, jam tepër krenar me ato emisione, me ato programe festive për shumë vite të reja.
Kam pas fatin të punoj me të gjithë regjisorët e atëhershëm të TVP-së, sidomos me Nevruz Manxhukën dhe Luan Dakën; kam pasur fatin të punoj me aktorët me të mirë shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë; kam pasur fatin të punoj më montazherët me të mirë; dhe, kam pasur fatin të punoj me një producent (Ibrahim Istrefaj) të cilin as sot e kësaj dite nuk mund t’ia kalon kush. Të gjitha këto me kanë bërë të privilegjuar dhe krenar.
Prapë u është rikthyer “dashuria juaj e vjetër” ndaj Televizionit. Cili është vizioni juaj nëse do të bëheshit anëtar i Bordit të RTK-së?
E thash më herët se Televizioni është si “zhuga”: po t’u ngjit njëherë vështirë që të hiqet. Aplikova për Bordin e RTK-së me qëllim të jap kontributin tim modest për mirëvajtjen e projekteve zhvillimore. Unë me siguri se nuk jam më i mençuri, por përvoja ime shumëvjeçare ndoshta do të më ndihmojë në kompilimin e skemave programore, gjetjen e “çelësit” për një siguri më të mirë financiare. Aty unë nuk jam vetëm. Ka edhe njerëz tjerë të ditur. Por, është e vërtetë se aty ndihem si në “shtëpinë” time.
Çelësi i suksesit…
Të gjithë ju njohin si “ministër” i Kulturës në kryeqytet. E merrni për nderë këtë “titull” dhe cili është çelësi i suksesit tuaj në fushën e kulturës në kryeqytet?
Është e vërtetë se shumë njerëz edhe sot më thërrasin “ministër” i Kulturës së kryeqytetit. Unë mendoj se çdo njeri duhet ta dojë punën që bënë, ta marrë me përkushtim, të komunikojë me opinionin, të jetë transparent dhe i sinqertë. Ky është “çelësi” i suksesit.
Thuhet se me njerëzit e kulturës është vështirë të merret vesh njeriu, aq më pak një zyrtar për kulturë. Megjithatë, edhe sot e kësaj dite pothuaj të gjithë njerëzit e kulturës ju përshëndesin, ju falënderojnë, madje vazhdojnë të ju mbajnë mend si “ministër” i Kulturës së Prishtinës… edhe pse ju tashmë jeni pensionuar?
Nuk do të pajtohesha me ju në tërësi. Ka edhe të tillë, por, nëse ulesh e dëgjon me vëmendje hallin që ka secili prej tyre, me siguri shumë lehtë merresh vesh. Jam munduar që ato mjete shumë modeste për financimin e projekteve të kulturës të shkojnë në vendin e duhur. Financimit të veprimtarisë kulturore i kam dhënë një dimension me të gjerë realizues me sloganin “të gjithëve nga pak”. Kjo praktikë është treguar si gjithëpërfshirëse dhe më duket se ia kam qëlluar. Fatbardhësisht, edhe sot e kësaj dite, pasardhësit e mi në Drejtori ndjekin këtë politikë.
Pavarësisht pensionimit ju jeni prapë aktivë në jetën kulturore të kryeqytetit. Aty ku ka kulturë në kryeqytet, aty është edhe Mustafë Halili. Pra, nuk po i shkoqeni jetës kulturore të kryeqytetit?
E falënderoj drejtoreshën e kulturës, zonjën Vlora Dumoshi e cila vazhdimisht kontakton me mua, edhe pse tani jam pensionuar. Jo që ajo nuk din ajo – din shumë – por, në vazhdimësi konsultohemi për projekte me peshë. E falënderoj edhe Kryetarin e Komunës, z. Akademik Isa Mustafën, i cili gjithmonë ka treguar një respekt të veçantë. Kjo më obligon që të jem aktiv, sepse fundja dhjetë vite angazhim e mund kanë lënë gjurmë në këtë qytet.
Çka keni bërë për kulturën në kryeqytet, diçka që edhe sot vazhdon të mbetet si traditë, si e paharruar, tradicionale…?
Nuk dua ta nënçmoj askënd, por, asnjë komunë tjetër në Kosovë nuk e ka politikën e subvencionimit të projekteve sikurse Komuna e Prishtinës. Për çdo vit ne kemi realizuar nga 150 deri në 200 projekte të vogla dhe të mëdha. Kjo traditë vazhdon edhe sot. Drejtoresha Dumoshi më tha se ketë vit vetëm për veprimtari botuese janë shpenzuar 40.000 euro, që do të thotë se janë mbështetur mbi tetëdhjetë tituj të rinj; pastaj veprimtaria teatrore, filmike, artet pamore, festivalet etj. Në Kosovë, Komuna e Prishtinës është e vetmja që financon pesë institucione kulturore që dikush më herët ka dashur t’i fshijë me logjikën e vjetër që të mos shpenzojmë mjete për Qendrën Kulturore të Fëmijëve, Teatrin Dodona etj. E shihni se si janë katandisur teatrot nëpër komunat tjera të Kosovës. Heqin të zinjtë e ullirit për të siguruar mjete për një apo dy shfaqje. Ky është mjerim. Prandaj, mendoj se kam lënë një “vulë” diku.
Edhe Mustafë, edhe demokristian!
Jeni marrë edhe me politikë. E keni bërë këtë për çështjet ë karrierës apo për shkak të obligimit kombëtar që të rreshtoheni në një front politik kundër regjimit serb?
Lidhja Demokratike e Kosovës në vitet nëntëdhjeta ishte një lëvizje gjithëpopullore që tregonte se ky popull e do lirinë, pavarësinë, por edhe demokracinë. Unë me disa shokë dhe miq të mi konfesionesh të ndryshme, u morëm vesh që të radhitemi në një parti relativisht të vogël. U anëtarësova në Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, për ta quar çështjen përpara, jo si mysliman apo katolik, por si shqiptar. Me ardhjen e akademik Mark Krasniqit në krye të partisë, ajo mori vendin e duhur në skenën politike të Kosovës së atëhershme. Tetëmbëdhjetë vite isha në ato struktura dhe ishte mjaft vështirë.
Në një vizitë të demokristianëve në Gjermani, një gjerman më tha: “Krejt po mundem t’i kuptoj, por, edhe Mustafa, edhe demokristian, nuk po mund të kuptojë”. Unë ju përgjigja: ”Tani këtu jemi të gjithë shqiptarë e në shtëpi pas dite shkojmë në kishë dhe xhami”. Kjo parti atëherë ka luajtur rol shumë të madh, sidomos te ndërkombëtarët.
Profesori ishte ideatori dhe realizatori i ardhjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë. U formua një Këshill organizativ atëherë, por puna kryesore i mbeti profesor Markut. Ai më propozoi mua si sekretar i këtij këshilli apo si implementues i projektit. Ishte privilegj, kënaqësi dhe shans jetësor të ishe ekzekutues i një projekti të tillë. Edhe më kënaqësi ishte për mua të jem në një Këshill që do ta sillte Skënderbeun në Prishtinë. Për këtë unë e kam obligim të bëj një libër. Por, për rrugëtimin e monumentit nga Tirana në Prishtinë edhe sot kam emocione. Kur shikoja tërë atë popull shqiptar (me qindra mijëra) para dhe pas eskortës, qaja nga gëzimi. E veçanta është se nga Morina e deri në Prishtinë patëm shumë probleme. Ishte përhapur lajmi në Prishtinë se monumenti është rrëzuar dhe asgjësuar; i është thyer shpata Skënderbeut; i është këputur koka etj. Asnjëra nga këto nuk ishin të vërteta. Monumenti arriti në Prishtinë më 28 nëntor 2001, pikërisht në orën 13 e 24 minuta. Ecja me një veturë para monumentit, më shkonte mendja se jam njeriu më i madh në botë, ndërsa monumentin nuk e konsideroja si bronz, por si njeri të gjallë sepse dukej shumë madhështor.
Cili është sot Mustafë Halili pensionist? Si është jeta e një pensionisti që është pensionuar për shkak të viteve, por që nuk është pensionuar në aktivitetin e tij të përditshëm jo vetëm kulturor?
Jeta është proces, ecën si koha, nuk ndalet. Edhe unë si të gjithë njerëzit tjerë është dashur të pensionohem një ditë. Shokët e mi shpesh bëjnë shaka me mua duke më thënë: “Ku i ke tespihet dhe si po të shkon namazi”. Njeriu duhet të pensionohet, por, kurrë nuk duhet të ndalet se punuari. Mua më ka mbajtur shëndeti i mirë dhe puna me bollëk. Mendoj se edhe më tutje do të jetë ashtu.
Nuk dua t’i vesh papuçet e pensionit!
Cili është Mustafë Halili në “papuçe”, në familje, në kuzhinë, në jetën e përditshme?
Hahaha… në papuçe edhe mirë. Bile i kam blerë një palë të reja… Ecja me papuçe është simbolikë e qetësisë, ngadalësimit të jetës dhe pushimit… Unë papuçet i bleva, por ende nuk i kam futur në këmbë e as nuk e kam mendjen.
Cila është kënaqësia e krenaria e Mustafë Halilit në familje?
Familja është e shenjtë. Familja ime, e sidomos gruaja Bedra, ekonomiste e diplomuar, më ka duruar tepër, sepse gjithmonë isha i zënë, i zënë, i zënë, pa pasur kohë t’i përkushtohem asaj. Megjithatë, kemi “ndërtuar” një familje të mrekullueshme. Prapë po them, meritat për këtë i takojnë Bedres që e dua sa veten time. Kemi dy djem – Rrezartin, mjek dhe Kreshikun – ekonomist. Janë të martuar, Rrezi me Editën – ekonomiste, dhe Kresha me Krenaren – arkitekte. Jam bërë gjysh tri herë. Kam dy mbesa, Stinën dhe Orianën, dhe nipin Zanin. Të gjithë këta janë jeta ime, suksesi dhe adresa ime. /Telegrafi/