LDK, bashkë me partnerët e koalicionit, AKR-në, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi, janë bërë bashkë në hapjen e fushatës në Prishtinë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se “të tjerët u munduan që t’i thyejnë, por që e thyen veten në fund”, njofton Klan Kosova.
“U munduan të na thyejnë, por e thyen veten, nga frika se do t’i mundim ata u dorëzuan”, ka thënë Mustafa. “Ne do të dalim fitues, koalicioni ynë. Fitore me Avdullah Hotin në krye. Ne të gjithë do të ndjekim rrugën rugoviane sepse rugoivizmi është këtu me ne dhe ju jeni ata”, ka theksuar Mustafa.
Ai ka thënë se koalicioni tjetër do të mundohet, por nuk ka shansin që të dalë fitues.
“Nuk e them për rivalitet politikë por jam i bindur që PDK në opozitë është e vetmja mënyrë për t’i siguruar frymëmarrje këtij shteti. Jam i bindur që ata që poshtëruan para syve të botës Parlamentin e Kosovës me gaz lotsjellës, ata që sulmuan institucionet e shtetit, do ta paguajnë çmimin e sjelljes së tyre dhe jo ta marrin votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi Mustafa.
Bashkimin e PDK-së, AAK-së, Nismës dhe të tjerëve, ai e ka quajtur koalicion të interesit.
“Ata shahen ditën e përqafohen natën. PDK i ka bërë instrumente të saj të gjithë, por jo LDK-në”, ka thënë Mustafa.