Site icon Telegrafi

Mustafa: Të dielën përfundon qeverisja e keqe, kur Baxhaku të zgjidhet kryetar i Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë të enjten në Prizren se më 22 tetor qytetarët do t’i japë fund qeverisjes së keqe në Prizren, duke e zgjedhur Hatim Baxhakun kryetar të qytetit të traditës e të kulturës, qytetit të tolerancës e të mirëkuptimit.

“Kirurgu Hatim Baxhaku, me ndihmën e kandidatëve më profesionalë e më të përgjegjshëm për asamblistë dhe me programin e LDK-së, do ta shërojë Prizrenin nga plagët që ka marrë prej qeverisjes së papërgjegjshme e korruptive”, ka thënë Mustafa.

Ai ju ka bërë thirrje komuniteteve turke dhe boshnjake që t’i bashkojnë votat me LDK-në, sepse askush më shumë sesa LDK-ja nuk i respekton komunitetet dhe gjithë qytetarët dhe kjo është dëshmuar edhe me qeverisjen e LDK-së në nivel qendror.

Kryetari i LDK-së la thënë se me qeverisjen e Baxhakut, Prizreni do ta bëhet qytet model i zhvillimit e integrimit, qytet i vlerave evropiane.

Ai ka thënë se LDK-ja do të fitojë në shumicën e komunave të Kosovës, sepse LDK-ja do të jetë partia më e madhe politike e Kosovës.

Kandidati i LDK-së për Prizrenin, Hatim Baxhaku, ka thënë se gjatë fushatës elektorale, ai dhe ekipi i tij kanë vizituar çdo pjesë të qytetit dhe të gjitha komunitetet e grupet e interesit.

“Programi ynë hasi në mbështetje të madhe, sepse ofron kthesën dhe ndryshimin radikal në qeverisje. Ndryshime që nënkuptojnë shkëputjen me korrupsionin, kriminalitetin, nepotizmin, injorancën, arrogancën, papërgjegjësinë dhe mungesën e llogaridhënies”, është shprehur Baxhaku.

Ai ka shtuar se Prizreni është qytet i gërshetimit të kulturave të ndryshme dhe tolerancës ndërmjet tyre.

“Në Prizren bashkëjetojnë në harmoni lindja dhe perëndimi, fshati dhe qyteti, besimet dhe kulturat e ndryshme, qyteti i trashëgimisë kulturore e materiale, i artizanateve të vjetra dhe filigranit, i arsimit e shëndetësisë, i sportistëve me renome, i figurave eminente të artit, i bujqve punëtorë e të ndershëm”, ka theksuar Baxhaku, duke shtuar se Prizreni ka nevojë t’i kthehet ai identitet dhe salla e stërmbushur dhe e stolisur me flamuj të Dardanisë e të presidentit historik Ibrahim Rugova, janë sinjali më i mirë se ai epitet do të kthehet.

“Prizreni ka nevojë për një kryetar që punon dhe është i përgjegjshëm për obligimet e tij. Deri tani kishim një kryetar që e shihnim vetëm kur dilte para gjykatave së bashku me bashkëpunëtorët e tij. Prizreni ka nevojë për një kryetar që drejton komunën për të mirën e përgjithshme të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Baxhaku.

Ai ka shtuar se kryetari në shkuarje ishte vetëm një hije, ndërsa vendimet i merrnin të tjerët.

“Prizreni ka nevojë për një kryetar që kujdeset për imazhin e komunës sonë, ndërsa kryetari dhe qeverisja e deritashme angazhimin e tyre e demonstronin vetëm në festat e fundvitit, kur punëtorëve u jepnin nga 100 euro. Prizreni ka nevojë për një kryetar që komunën e sheh si një qendër në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Baxhaku.

Exit mobile version