Site icon Telegrafi

Mustafa fton Drenicën që ta provojë qeverisjen dhe programin e LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, gjatë një tubimi me qytetarët e Skenderajt, ka kërkuar nga banorët e Drenicës që në zgjedhjet e 22 tetorit ta provojnë qeverisjen dhe programin e LDK-së.

Ai ka thënë se kandidati i LDK-së për kryetar komune, Isa Fejzullahu, dhe kandidatët e tjerë për Asamble komunale, janë zgjidhja më e mirë për Skenderajn.

“Të gjitha komunat që janë qeverisur nga LDK-ja në katër vitet e fundit, janë dëshmuar për transparencë dhe qeverisje të mirë. Jam i bindur se përfundimisht edhe Drenicës i bën mirë një qeverisje e LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Kandidati për kryetar të Skenderajt, Isa Fejzullahu, ka thënë se programi i tij është i bazuar në nevoja qytetare për zhvillim ekonomik. Ai ka premtuar administratë lokale të depolitizuar dhe bashkëkohore.

“Do të krijojmë lehtësira për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Ne synojmë krijimin e një administrate publike efikase dhe transparente, ku fëmijët tanë të kenë një arsim cilësor të bazuar në metoda bashkëkohore”, ka thënë Fejzullahu. /Telegrafi/

Exit mobile version