Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ka thënë se shtrenjtimi i tarifave të rrymës nuk i prek qytetarët që janë veri të Mitrovicës.
Sipas Musliut, vendimi Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka shkaktuar pabarazi etnike.
“Bordi i ZRRE-së ka marr vendim për shtrenjtim të rrymës për 15 për qind. Ky shtrenjtim nuk i prek qytetarët në veri të Mitrovicës, të cilët janë të privilegjuar nga kjo qeveri e vendit tonë. Me këtë vendim po bëhet një pabarazi etnike”, tha Musliu gjatë seancës parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
“Kërkoj nga institucionet të nxirret një vendim që të lirohen nga pagesa e rrymës kategoritë e dala nga lufta, e me theks të veçantë veteranët dhe invalidët e luftës”, ka shtuar ajo.
Duke filluar nga 1 prilli, rryma do të shtrenjtohet për 15.4 për qind bazuar në këto tarifa.
Sipas ZRRE-së, kjo rritje ka ardhur për arsye se ende çmimet e importit për energji mbesin të larta.
Vendimi thotë se ata që harxhojnë 300kWh rritja do të jetë 2.88 euro, kurse ata që shpenzojnë 450kWh rritja do të jetë 4.18 euro dhe për harxhim 600kWh rritja do të jetë 5.49 euro. Për ata që harxhojnë 800kWh rritja do të jetë 7.21 euro, ndërsa ata që shpenzojnë 1,000kWh rritja do të jetë 10.51 euro dhe konsumatorët që harxhojnë 1,200kWh rritja do të jetë 13.80 euro.
Kujtojmë se ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj. /Telegrafi/