Site icon Telegrafi

Murseli kritikon raportin e GAP-it: Shumë premtime të Komunës së Gjilanit të shpallura të përmbushura nuk janë realizuar

Kryetari i Forumit të Rinisë dhe anëtari i Kuvendit Komunal, Gentrit Murseli, së bashku me Shefin e Grupit Parlamentar, Avdyl Aliu, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës-dega në Gjilan, kanë mbajtur konferencë për media në lidhje me raportin e Insitutit GAP për premtimet e mbajtura nga kryetarët e komunave.

Murseli e ka cilësuar dezinformim të paprecedent që Komuna e Gjilanit ka bërë tek Instituti GAP, ku sipas tij, kjo është bërë për të gënjyer opinionin publik për premtimet e tij të realizuara.

Ai thekson se shumica e premtimeve të cilat cilësohen si të realizuara në Insitutin GAP, në të vërtetë, sipas tij, janë të papërmbushura.

“Shumica e premtimeve të cilat cilësohen si të realizuara tek Instituti GAP, në fakt janë informata të pavërteta të dërguara nga Komuna e Gjilanit”, ka theksuar ai.

LDK ka listuar edhe premtimet të cilat sipas tyre cilësohen të realizuara nga ana e komunës.

“Transparencë për të gjitha veprimet e administratës komunale, Respektim i Ligjit të Prokurimit Publik, Fillimi i ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Gjilan, Fillimi i rinovimit të Palestrës “ Bashkim Selishta- Petriti”, Përmirësimi i infrastrukturës brenda Teatrit të Qytetit- Gjilan, në vlerë prej 50.000€, Fillimi i ndërtimit të zonës ekonomike dhe funksionalizimi i qendrës trajnuese”, ka thënë ai.

“Fillimi i restaurimit të Kalasë së Pogragjës, Ndarja e bursave për studentë dhe nxënës të dalluar, Rregullimi pjerrinave në trotuaret e qytetit, Funksionalizimi i Qendrës Rinore, Krijimi i qendrës për qëndrim ditor për personat me aftësi të kufizuar, Krijimi i kinemasë afër Kalasë së Pogragjës, Krijimi i parkingjeve të reja në qytet, Riorganizim i Flakës së Janarit, Rritja e fondit për subvencionim të organizatave kulturore, e shumë premtime të tjera që cilësohen si të mbajtura, në fakt as nuk kanë filluar,”- tha Murseli para medieve.

Ai potencoi në emër të Degës, që kërkojnë nga Instituti GAP rivlerësim të premtimeve të të parit të ekzekutivit, ngase sipas tij, as për së afërmi nuk janë të realizuara ashtu siç janë paraqitur. /Telegrafi/

Exit mobile version