Telegrafi

Muriqi i lumtur me golin: Nuk e merituam humbjen

Vedat Muriqi ka vazhduar shkëlqimin në elitën e futbollit spanjoll La Liga me Mallorcan.

Sulmuesi nga Kosova ka realizuar edhe golin e dytë në kampionat, teksa shënoi me kokë në përballjen me Real Betis.

Skuadra e reprezentuesit kosovar pësoi humbje me rezultat 2:1 me vendasit që shënuan nga penalltia disa minuta pasi Muriqi barazoi shifrat.

Reprezentuesi kosovar ka folur pas ndeshjes, ku ka deklaruar se nuk e merituan humbjen, teksa sipas tij penalltia për vendasit nuk ka qenë.

“Nuk e kemi merituar humbjen në këtë përballje. Kemi mundur të marrim një pikë ndaj një rivali të vështirë si Betisi”, tha fillimisht Muriqi.

“Penalltia ishte e turpshme dhe nuk mendoj se duhej të akordohej, por ne duhet të vazhdojmë të luftojmë”.

“Jam i lumtur me golin por dua që ai të shërbejë për të fituar pikë”, ka deklaruar Muriqi pas ndeshjes.

27-vjeçari ka zhvilluar katër ndeshje me fanellën e Mallorcas, tri në kampionat dhe një në Kupën e Mbretit.

Ai deri më tani ka realizuar dy gola në La Liga dhe ka asistuar në një tjetër duke rikthyer formën e para dy viteve me tu transferuar në Spanjë. /Telegrafi/