Ismet Munishi ka folur në lidhje me kombëtaren e Argjentinës, e në veçanti trajneri e tyre, Jorge Sampaoli.
Argjentina u eliminua nga Kupa e Botës pas humbjes 4-3 nga Franca në fazën e 1/8-tës.
Kjo humbje ka bërë që trajneri i njohur kosovar, Munishi, ta kritikojë trajnerin e Argjentinës, ndërsa thuri elozhe për veten dhe tregoi se çfarë do bënte si trajneri i kombëtares Albiceleste.
“Sampaoli ka gabuar në rreshtim si në çdo ndeshje tjetër. Ka gabuar edhe në kualifikime, ku mezi u kualifikua”, ka thënë fillimisht Munishi në Dueli Botëror në RTV Dukagjini.
“Me qenë unë në rolin e trajnerit të Argjentinës, këto ekipet tjera do të kishin mundur të luftojnë vetëm për vendin e dytë, sidomos me këtë kualitet të lojtarëve”.
“Trajneri Sampaoli ka dashur të shpik një futboll me një sulmues jo të deklaruar, Messi mu tërheq e me sulmu në thellësi me Pavonin dhe Di Marian”.
“Ai nuk ka pasur kujdes të veçantë për Mbappen, i cili ka qenë lojtari më i rrezikshëm i ndeshjes dhe as Griezmannin nuk i ka kushtuar aq rëndësi”.
“Megjithatë, nuk e ka merituar Argjentina në këtë formë të shkoj në shtëpi”, përfundoi trajneri kosovar. /Telegrafi/