Site icon Telegrafi

Munishi: Behrami ishte lojtari i ndeshjes në përballjen ndërmjet Zvicrës dhe Brazilit

Dueli i Botërorit (Foto: YouTube/Dukagjini/Getty Images)

Trajnerët Ismet Munishi dhe Bylbyl Sokoli , si dhe panelistët tjerë, kanë dhënë opinionet e tyre në emisionin Dueli i Botërorit që transmetohet në RTV Dukagjini, për ndeshjet e zhvilluara ditën e diel në fazën grupore të Kampionatit Botëror.

Në kuadër të ditës së katërt të turneut më të madh të futbollit që po zhvillohet në Rusi, u zhvilluan tri ndeshje, të cilat u komentuan nga panelistët Blerand Stavileci (ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik/President i klubit basketbollistik Prishtina), Bylbyl Sokoli (trajner), Ismet Munishi (trajner) dhe Valdete Mustafa (dizajnere).

Zvicra e përfaqësuar nga katër shqiptarë bëri një befasi të madhe duke i bërë ballë Brazilit dhe arriti të nxjerrë rezultat pozitiv (1-1).

Ismet Munishi (Foto: YouTube/Dukagjini)

“Behrami ka qenë lojtar i ndeshjes sot. Deri në ato momente kur ka luajtur Behrami, edhe Xhaka, kanë qenë të jashtëzakonshëm, së bashku me portierin. Ndërsa Shaqiri nuk ka qenë mirë”, ka theksuar Munishi.

Sokoli nga ana e tij ka thënë se Shaqiri ka qenë i rrezikshëm në sulm, ndërsa në këtë pikë nuk pajtoheshin me Munishin, i cili theksoi se Xherdani dhe Blerim Xhemajli nuk kanë bërë paraqitje të mirë.

Sipas Munishit, goli i Zvicrës ishte ndërhyrje e palejuar, pasi Steven Zuber e ka shtyrë markuesin e tij dhe sipas tij, gjyqtari është dashur ta konsultojë sistemin VAR.

Bylbyl Sokoli (Foto: YouTube/Dukagjini)

Bylbyl Sokoli ka thënë se shpreson në kualifikim e Zvicrës, pasi pas Brazilit është një prej favoritëve për ta kaluar Grupin E.

Dueli i Botërorit transmetohet në RTV Dukagjini çdo ditë nga ora 22:30 dhe i kushtohet Kampionatit Botëror. Arta Nitaj dhe Fisnik Zymi janë prezantues të emisionit. /Telegrafi/

Exit mobile version