Site icon Telegrafi

Mungesa e printerëve në shkollat e Shtimes, nxit reagimin e opozitës

Komuna e Shtimes në shtator të vitit të kaluar kishte nënshkruar një kontratë me një kompani për projektin “Shfrytëzimi i fotokopjeve dhe printerave me qera” për shkola, në kohëzgjatje prej një viti deri më 18 shtator 2025. Por, ende pa u bërë gjashtë muaj komuna i kishte shpenzuar paratë e shërbimeve në vlerë prej 5 mijë e 643 eurove. Ndërkohë, kompania i kishte tërhequr të gjitha pajisjet e printerëve në secilën shkollë.

Menaxher i kësaj kontrate ishte një zyrtar për logjistikë në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, i cili nuk kishte eksperiencë në fushën e IT-së dhe madje është në prag të pensionimit.

Lidhur me këtë tender, Telegrafi ka siguruar të gjitha dokumentacionet deri te nënshkrimi i kontratës.

Lidhur me mungesën e printerëve nëpër shkolla ka reaguar opozita PDK, dega në Shtime.

Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se mësimdhënësit dhe prindërit janë të shqetësuar me tërheqjen e printerëve nëpër shkolla. Sipas tij, kompania ka pasur kontratë një vjeçare por komuna kishte menaxhuar me projektin duke bërë shpenzime të parakohshme.

“Si pasojë e keqmenaxhimit, komuna i ka shpenzuar për rreth 5 muaj paratë. Pra ende pa u arritur 6 mujori, komuna i ka shpenzuar paratë në vlerë mbi 5 mijë e 600 euro dhe si pasojë operatori ekonomik i ka tërhequr pajisjet e tij të cilat kanë qenë me qera nëpër institucione shkollore. Ky keqmenaxhim bën që të pengon procesin mësimor, pasi që mësimdhënësit kanë nevojë të hartojnë tekste dhe dokumentacione për mësimdhënie. Kjo po shkakton telashe në procesin mësimor”, ka thënë Jakupi.

Sipas Jakupit kjo problematikë e keqmenaxhimit të ekzekutivit është përcjellur edhe vitin e kaluar.

“Edhe sivjet janë munduar ta zgjedhin problemin për kohë të shkurtë, mirëpo është bërë një keq-planifikim dhe keq-menaxhim”, ka shtuar Jakupi.

Në anën tjetër Komuna e Shtimes deri në momentin e raportimit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/

Exit mobile version