Site icon Telegrafi

Mungesa e energjisë elektrike, kryetari i Vitisë: Terri është kthyer pas 25 vitesh

Shumë qytete të Kosovës po përballen me mungesa të gjata të energjisë elektrike, duke shkaktuar vështirësi në funksionimin e përditshëm.

Një nga këto qytete është edhe Komuna e Vitisë, ku ndërprerjet e energjisë elektrike kanë sjellë sfida të shumta, sidomos në këtë periudhë dimri me temperatura të ulëta.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, e ka quajtur të papranueshme situatën, duke theksuar se ndërprerjet e energjisë po krijojnë vështirësi të mëdha për qytetarët dhe institucionet, përfshirë shërbimet emergjente.

“Është kthyer terri pas 25 viteve. Ndërrimi i motomoteve po afron, por terri është rikthyer. Është e papranueshme që mërgata të vijë në Kosovë dhe të përballet me mungesën e energjisë elektrike. Në këto ditë të ftohta, ku temperaturat po bien ndjeshëm, ndërprerjet janë të papranueshme. Po hasim në problematika serioze, përfshirë edhe funksionimin e emergjencave,” tha Haliti për KosovaPress.

Nga ana tjetër, KOSTT dhe KEDS kanë raportuar për një rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë, që ka arritur deri në 1400 MW/orë, duke mbingarkuar sistemin energjetik. Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve për kursim të energjisë.

Në shenjë pakënaqësie ndaj situatës, qytetarët kanë nisur protesta në disa zona, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme. /Telegrafi/

Exit mobile version