Telegrafi

Mundësit kosovarë bëhen gati për turneun në Serbi

Mundësit kosovarë, Kastriot Sedolli e Edon Shala, do të paraqiten në Kampionatin evropian për seniorë që të martën (sot) nis në Riga të Letonisë.

Evropiani do të jetë sfidë e madhe për dy mundësit nga Kosova që shpresojnë për një klasifikim sa më të mirë. Por edhe më sfiduese për Sedollin e Shalën pritet të jetë një garë tjetër evropiane që mbahet muajin tjetër.

Ata pritet të jenë në ekipin e Kosovës që planifikon të marrë pjesë në Turneun Kualifikues Evropian për Lojëra Olimpike “Rio 2016”, që do të mbahet nga 15 deri më 17 prill në Zrenjanin të Serbisë, shkruan sot Koha Ditore.

Sedolli, Shala dhe ndonjë mundës tjetër, kësisoj mund të bëhen sportistët e parë që do ta përfaqësojnë Kosovën në një ngjarje ndërkombëtare sportive që mbahet në territorin e Serbisë. Ende sportistë nga Kosova nuk kanë garuar në Serbi, duke përfaqësuar shtetin apo klubet e shtetit.

Serbia pos që nuk e pranon Kosovën, punon vazhdimisht kundër sportit kosovar dhe nuk ndal përpjekjet për të penguar sportistët kosovarë kudo që e ka mundësinë. Në raste edhe ia del, ndërsa deri më tani ia ka dalë që të pamundësojë shpalosjen e flamurit të Kosovës në territorin e Serbisë. Në fakt edhe nuk kishte shumë përpjekje të sportistëve të Kosovës që të garonin në territorin e Serbisë.