Site icon Telegrafi

MUNDËSI

Wislawa Szymborska

Poezi nga: Wisława Szymborska
Përktheu: Durim Taçi

Parapëlqej kinemanë.
Parapëlqej macet.
Parapëlqej lisat në lumin Varta.
Parapëlqej Dikensin ndaj Dostojevskit.
Parapëlqej veten time kur do njerëzit e jo njerëzimin.
Parapëlqej të kem afër pe e gjilpërë.
Parapëlqej ngjyrën e gjelbër.
Parapëlqej të mos them se fajin për çdo gjë e ka intelekti.
Parapëlqej përjashtimet.
Parapëlqej të dal menjëherë.
Parapëlqej të ndërroj temë bisede me mjekun.
Parapëlqej ilustrimet e vjetra bërë me vija.
Parapëlqej të bëhem qesharake duke e shkruar poezinë, në vend që ta lë fare.
Parapëlqej në dashuri përvjetorë të çrregullt që t’i festoj çdo ditë.
Parapëlqej moralistët që nuk premtojnë asgjë.
Parapëlqej një mirësi të matur ndaj asaj spontane.
Parapëlqej tokën në zanafillë.
Parapëlqej vendet e pushtuara e jo pushtuesit e tyre.
Parapëlqej të kem rezerva.
Parapëlqej ferrin e kaosit ndaj ferrit të rregullit.
Parapëlqej përrallat e vëllezërve Grim ndaj faqeve të para të leximit.
Parapëlqej gjethet pa lule ndaj luleve pa gjethe.
Parapëlqej qentë pa bishtin e prerë.
Parapëlqej sytë e çelët se vetë i kam të errët.
Parapëlqej sirtarët.
Parapëlqej shumë gjëra që këtu nuk i kam thënë ndaj të tjerave ende të pamenduara.
Parapëlqej zerot gjithandej, por jo në rresht brenda një shifre.
Parapëlqej kohën e insekteve ndaj asaj të akullit.
Parapëlqej të prek hekurin për fat.
Parapëlqej të mos pyes ‘edhe sa?’ apo ‘kur?’.
Parapëlqej të marr në konsideratë edhe mundësinë se qenia e ka arsyen e vet.

Exit mobile version