Kampioni aktual i Gjermanisë Bayern Munich duket i vendosur për të afruar në Munich mbrojtësin e kombëtares gjermane dhe njëkohësisht kapitenin e Dortmundit, Mats Hummels.
Për ta bërë këtë bavarezët po tentojnë të gjitha mënyrat vetëm e vetëm ta rikthejnë Hummelsin në ‘Allianz Arena’.
Sipas të përditshmes gjermane “Bild” në versionin e saj “Bild+” Bayerni Munich është gati t’i paguajë 30 milionë euro Dortmundit për të marrë shërbimet e kapitenit të verdhezinjve.
Ndërkaq trajneri i verdhezinjve Thomas Tuchel ka pranuar për herë të parë se Borusia vërtet mund të humbasë mbrojtësin dhe në këtë moment 30 milionë eurot do të ishin një investim i mirë për Dortmundin.
Tuchel ka pohuar se Dortmundi do të arrijë të gjejë pasuesin e Hummels apo të ndonjë lojtari tjetër që mund të largohet siç është rasti i Aubameyang.
Sakaq për mundësinë e kalimit të Hummels tek Bajerni është hedhur dhe ideja e futjes në këtë marrëveshje edhe e Mario Gotzes, që do të kthehet në “Westfalen Stadion”. /Telegrafi/