Site icon Telegrafi

Muller: Unë dhe Lewa nuk ndalemi

Thomas Muller dhe Robert Lewandowski formojnë një nga dyshet sulmuese me të frikshme në futbollin elitar evropian.

Së bashku kanë realizuar 40 gola nga 59 gjithsej të Bayernit në këtë sezon të Bundesligës: 23 i përkasin polakut, ndërsa 17 finalizime mbajnë firmën e sulmuesit gjerman.

Por cili është sekreti i funksionimit në perfeksion i sulmit bavarez? Përgjigjen e jep vetë Muller.

“Më pëlqen shumë të jem përkrah Lewandowskit. Kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin dhe të dy kemi një instikt të jashtëzakonshëm për të shënuar. Përveç kësaj, marrim shumë topa të rrezikshëm nga sulmuesit anësorë. Kjo është ajo që kërkon trajneri ynë. Pep e di që kur ne jemi të dy në zonë, i krijojmë shumë probleme kundërshtarit. Kufizimi i vetëm për mua është fakti se më duhet të luaj gjithmonë pas Lewas.”

Në përfundim të sezonit aktual Pep Guardiola do të largohet nga Bayerni për të marrë drejtimin e Manchester Cityt, lëvizje që nuk i pëlqen aspak sulmuesit të kombëtares gjermane.

“Me Guardiolan jemi përmirësuar shumë si skuadër, kemi arritur në një nivel shumë të lartë. Ne si futbollistë do të ishim shumë të kënaqur nëse Pep do të qëndronte, por ai ka plane të tjera. Ne nuk mund ta parashikojmë të ardhmen dhe askush nuk mund ta thotë se me Guardiolan do të përmirësoheshin më shumë. Gjithsesi dëshira ime ishte që të vazhdoja të punoja me këtë trajner.”

Bayerni i Mynihut renditet në vendin e parë në Bundesligë me 5 pikë më shumë se Borussia e Dortmundit, kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje nga përfundimi i kampionatit.

Exit mobile version