Site icon Telegrafi

Mrekullia Ferizaj

Ferizaj po e bën mrekullinë në Superligë. I rikthyeri në elitën e futbollit kosovar po kalon momente magjike, të cilët ia mundësuan ta marrë primatin, pas 10 xhirosh të zhvilluara.

Trajneri Bylbyl Sokoli e ka komponuar një ekip solid, i cili e tregoi forcën e vet qysh në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, kur i bëri ballë kampionit – Prishtina, edhe pse ishte duke garuar në Ligën e Parë.

Me fillimin e këtij edicioni, ferizajasit bënë disa përforcime, të cilët e kompletuan këtë skuadër. Ferizaj ka regjistruar tri fitore rresht në tri takimet e fundit (ndaj Besës 5-1, Fushë Kosovës 3-0 dhe Trepçës ’89 1-0), të cilat ia mundësuan që t’i lë prapa të gjitha skuadrat kundërshtare.

Trajneri i ekipit ferizajas kërkon nga lojtarët e tij të qëndrojnë me këmbët në tokë dhe të vazhdojnë me këtë ritëm, nëse pretendojnë të qëndrojnë lart në tabelë.

“Patëm një seri të suksesshme, kemi qenë bindës në tri ndeshjet e fundit, duke shënuar 8 gola dhe e pësuam vetëm 1. Duhet ta tregojmë këtë formë edhe në vazhdim të sezonit dhe detyrë e jona e parë është të qëndrojmë me këmbë në tokë, të vazhdojmë të jemi të suksesshëm, gjithnjë duke i respektuar kundërshtarët”, deklaroi Sokoli për Express.

 

Ai insiston se kryesimi në tabelë nuk duhet ta mashtrojë ekipin e tij, pasi diferenca në pikë ndërmjet skuadrave është shumë e vogël. Përkundër kësaj forme të shkëlqyeshme, ai thotë se është herët për të thënë se Ferizaj është kandidat për titull.

“Është shumë herët, marrja e kreut të tabelës nuk na mashtron, pasi lidershipi po ndërron kohë pas kohe. Diferenca nuk është e madhe, ka vetëm 5 pikë në mes vendit të parë dhe atij të nëntë. Ende është herët ta dimë se kush do të jetë pretendent për titull. Tash i kemi dy ndeshje brenda dhe mund të them se nëse i fitojmë, do të jemi kandidat serioz për kreun e tabelës”, vazhdoi ish trajneri i Kosovës së Prishtinës, Besianës, Dritës e Drenicës.

Sokoli ndër të tjera siguron se për momentin në planet e tij është Ferizaj dhe se nuk ka objektiva tjerë, edhe pse spekulohet për një largim të tij të mundshëm gjatë pranverës, për t’u rikthyer në Maqedoni, ku punoi disa vite.

Ferizaj ka grumbulluar 18 pikë deri tash, sa ka edhe Llamkos Kosova, duke regjistruar 5 fitore, 3 barazime e 2 humbje. /Telegrafi/ 

Exit mobile version