Roma ka arritur fitoren e dytë radhazi në grupet e Ligës së Konferencës, pasi triumfuan 0-3 në udhëtim te Zorya.
Ishte një ndeshje e dominuar totalisht nga Giallorosët, ku golat u shënuan nga Stephan El Shaarawy, Chris Smalling e Tammy Abraham.
Kjo fitore për Romën erdhi pas humbjes të dielën në derbin lokal ndaj Lazios.
Jose Mourinho nuk e ka harruar derbin e humbur dhe pas ndeshjes ndaj Zoryas ka thumbuar rivalët lokal, duke i quajtur skuadër e vogël.
“Ne fituam dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Disa ditë më parë, ne dominuam kundër një ekipi të vogël dhe humbëm. Futbolli është i tillë, rezultati është më i rëndësishmi”, u shpreh Mourinho.
Në takim ndaj Zoryas, Mourinho bëri disa ndryshime duke i dhënë hapësira më shumë lojtarëve që nuk kanë luajtur në kampionat.
Marash Kumbulla, Ebrima Darboe, Amadou Diawara, Carles Perez apo Chris Smalling patën më shumë hapësira.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe lojtarët u paraqitën mjaftë mirë. Më ka pëlqyer reagimi i tyre. Gjashtë pikë në dy ndeshje janë të rëndësishme dhe ne pothuajse jemi të kualifikuar”, tha Special One pas ndeshjes. /Telegrafi/