Jose Mourinho ka treguar arsyet e zëvendësimit të dyfishtë në fund të pjesës së parë ndaj Burnleyt, gjë që e cungoi startin e parë sezonal të Zlatan Ibrahimovicit në Ligën Premier.
Manchester Unitedi i pranoi dy gola në gjysmën e parë në Old Trafford, ndërsa trajneri i largoi nga fusha Ibran dhe Marcos Rojon pas 45 minutash.
Në vend të tyre u angazhuan Jesse Lingard dhe Henrikh Mkhitaryan, ndërsa këto zëvendësime rezultuan të duhurat, pasi Lingard i shënoi dy gola për Djajtë e Kuq.
Mourinho ka shpjeguar se meqë rezultati ishte i keq për skuadrën e tij, ai duhej të bënte ndryshime.
Strategu portugez ka sqaruar se zëvendësimet ishin taktike për shkak të mbrojtjes së kundërshtarit që nuk lejonte që të vinte në shprehje një qendërsulmues Ibrahimovici.
“Vendosëm të luanim me Mkhitaryan, Lingard dhe (Juan) Mata, që të tre të luanin në zonat e tyre, prapa Lukakut dhe mund të themi se patëm sukses”, ka thënë Mourinho.
Ai e ka përsëritur edhe njëherë se nuk ishte i kënaqur për humbjen e dy pikëve, ndërsa i ka lëvduar përpjekjet e lojtarëve të tij për t’u rikthyer pas dy golave të pranuar.
Manchester Unitedi tash është 15 pikë prapa liderit të Ligës Premier dhe rivalit lokal, Manchester City. /Telegrafi/