Telegrafi

Mourinho shpërthen pas humbjes nga Antwerp: Dëshiroja t’i bëja 11 zëvendësime, është vetëm një person që duhet fajësuar

Royal Antwerp është përkujdesur për befasinë më të këndshme të mbrëmjes në Ligën e Evropës.

Skuadra belge arriti ta mposht me rezultat minimal gjigantin anglez Tottenham Hotspur 1-0.

Kjo humbje e lë skuadrën londineze në pozitën e dytë në Grupin J me tri pikë sa ka edhe Lask, ndërsa Antwerp ka pozitën e parë me gjashtë pikë.

Pas kësaj humbje ka shpërthyer trajneri portugez i Spurs, Jose Mourinho i cili tha se dëshironte t’i bënte 11 zëvendësime pas pjesës së parë.

“Doja t’i bëja 11 zëvendësime pas përfundimit të pjesës së parë”, deklaroi Mourinho që inkuadroi katër lojtarë në minutën e 46-të të sfidës.

“Nuk i bëra pesë zëvendësime menjëherë pasi frikësohesha për ndonjë gjë të papritur”, tha Mourinho i cili më vonë inkuadroi edhe Harry Kanen, por që ishte e kot pasi Spurs nuk dolën me pikë nga kjo përballje.

Megjithatë portugezi thotë se ka vetëm një fajtor për këtë humbje dhe fajtori është vet ai.

“Ka vetëm një person për të fajësuar dhe ai jam unë. Unë kisha zgjedhuyr lojtarët për të filluar ndeshjen dhe pas gjysmës së ndeshjes u përpoqa të përmirësoja situatën, por që nuk ishte e mjaftueshme”, u shpreh Mourinho.

Por pas përfundimit të ndeshjes ai u përkujdes për ta postuar një foto nga autobusi në Instagram, foto që u bë virale në internet për shkak të mbishkrimit që i kishte vendosur.

“Paraqitjet e dobëta meritojnë rezultate të këqija, shpresojë që të gjithë në këtë autobus të jenë aq të mërzitur sa unë, nesër stërvitje në 11 të mëngjesit”, shkroi Mourinho në Instagram. /Telegrafi/