Jose Mourinho nuk e fsheh admirimin për Paris Saint-Germainin, sikundër nuk fsheh edhe faktin se karriera e tij si trajner nuk do të mbyllet në stolin e Manchester United.
Që në sezonin e parë te “Djajtë e Kuq”, portugezi 54-vjeçar fitoi titullin e Ligës së Evropës dhe Kupën e Ligës, ndërkohë që aktualisht skuadra e tij renditet e dyta në Ligën Premier, ku numëron gjashtë fitore nga tetë ndeshjet e luajtura në këtë fillim sezoni.
Mourinho duket se u ka dhënë materialin e duhur mediave për të spekuluar për të ardhmen e tij, sidomos pas një interviste për mediumin francez “Telefoot”.
Portugezi, me një karrierë të pasur e plot triumfe në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali, tashmë synon të prekë Francën, me Parisin në ‘pole-position’, përcjell SS.
Kështu shkruajnë revistat evropiane. Në të vërtetë, lidhja e emrit të tij me klubin e Naser Al-Khelaifit ka ndodhur edhe më parë, si në vitin 2016, kur të gjitha mediat evropiane deklaruan se sheiku nga Katari ëndërronte trajnerin e suksesshëm, por në atë kohë Mourinho preferoi Chelsean.
Sidoqoftë, tani është Mourinho ai që evokon romancën e re me klubin nga Parisi.
“Im bir, që jeton në Londër, shkoi në Paris për të parë një ndeshje të PSG dhe nuk ndoqi Man Unitedin. Ju do të pyesni pse zgjodhi Parisin. Ka diçka speciale. Është fantastik, magjik, me kualitet dhe rini”, ka thënë Mourinho.
Këto fjalë janë marrë si një mesazh për skuadrën parisiene. Ka ende kohë, por portugezi dhe PSG duket se kanë lënë një takim.