Jose Mourniho dhe Roma është një dashuri që ka filluar jo shumë kohë më parë, por që çdo ditë e më shumë po rritet.
Trajneri portugez është shumë i lumtur në kryeqytetin italian dhe dëshiron të vazhdojë qëndrimin në Olimpico.
Pas ndryshimit të pronarëve, Newcastle United ka tentunar afrimin e Mourinhos, por përgjigjja e tij për klubin anglez ka qenë negative.
Edhe pse Newcastle zyrtarisht është skuadra më e pasur në botë dhe me pretendime për të bërë transferime të mëdha, kjo nuk e ka bindur Mourinhon.
Special One ka vendosur t’i qëndroj besnik Romës dhe dëshiron të fitojë trofe me Giallorosët.
Trajneri portugez ka dhënë arsyet e tij pse ka refuzuar Newcastlen, duke thënë se asgjë nuk e largon nga Roma.
“Unë nuk po i braktis djemtë e mi për asgjë, është vendosur. Kam nënshkruar për tri vite dhe askush e asgjë nuk do të më lejojë t’i braktis”, deklaroi Special One.
Deklarata e Mourinhos i ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë tifozëve të Romës të cilët e kanë përshëndetur vendosmërinë e portugezit për t’i qëndruar besnik Romës.
Pas kësaj Mou foli edhe për ndeshjen e Ligës së Konferencës ku Roma do ta zhvillojë në udhëtim te Bodo/Glimt në Norvegji.
“Nuk do të jetë e lehtë me fushën sintetike, një udhëtim tetë orësh. Ne nuk kemi shumë lojtarë dhe disa kanë probleme”.
“Ne duhet të bëjmë disa ndryshime në formacion. Dallimi midis fushës sintetike dhe asaj me bar natyral? Është një ndryshim i madh. Në një vend nordik është standard, kështu që nuk është kritikë. Nuk mund të rrezikojmë sezonin e disa lojtarëve si Karsdorp dhe Zaniolo me një fushë artificiale dhe me këto kushte”.
“Nuk kam qenë kurrë në Norvegji dhe në një vend të bukur si Bodo, me njerëz të dashuruar pas futbollit. Nuk është e lehtë të shohësh një ndeshje të madhe, por do të jetë emocionuese për tifozët”, tha Mourinho. /Telegrafi/