Jose Mourinho është deklaruar pas fitores 2-0 të Tottenham Hotspurit ndaj Manchester Cityt.
Trajneri portugez ka përgëzuar lojtarët e tij për fitoren ndaj Citizens, duke mbajtur gjallë shpresat për t’u futur në top katërshe.
“Djemtë ishin fenomenalë. Mbrojtja ishte fantastike. Jam shumë i lumtur për djemtë. Ne ishim pak me fat në dy situata, por perspektiva tjetër ishte shumë fatkeqe pasi që VAR nuk vendosi për një karton të kuq për Raheem Sterling. Ishte një karton i qartë i kuq dhe krejt tjetër lojë do të zhvillohej nëse do të luanim për 75 minuta kundër 10 burrave”, ka thënë Special One.
Tekniku portugez ka komentuar edhe golin e Steven Bergwijn në minutën 63, me të cilin vendësit kaluan në epërsi.
“Shumë i mprehtë. I pandalshëm për një portier të shkëlqyer”.
Pas fitores ndaj City, skuadra Tottenham renditet e pesta (katër pikë prapa Chelseat) në tabelë dhe kërkon të sigurojë pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
“Do të jetë e vështirë. Ne jemi në tri gara. Por ishte një fundjavë e mirë për ne,” ka thënë Mourinho duke komentuar shanset e Tottenhamit për të përfunduar në fund të kampionatit në mesin e katër skuadrave të para.
Në xhiron e 26-të, Spurs do të takohen me Southamptonin, një ndeshje aspak e lehtë. /Telegrafi/