Telegrafi

Mourinho nuk e qanë humbjen nga Cremonese, thotë se ka fokusin vetëm te ndeshja e radhës

Roma ka marrë një goditje të madhe pasi është eliminuar në çerekfinale të Kupës së Italisë.

Giallorosët kanë pësuar në Olimpico nga Cremonese me rezultat 1-2 në një ndeshje që ishte spektakolare.

Trajneri i Romës, Jose Mourinho ka folur pas kësaj disfate duke e thënë se mysafirët kanë fituar me meritë dhe kanë kaluar në gjysmëfinale.

“Urime Cremoneses, ata me meritë janë në gjysmëfinale. Ne paguajmë për një pjesë të parë të tmerrshme. Më pas, në pjesën e dytë ndodhi një gabim i menjëhershëm dhe epërsia 2-0 ndryshoi dinamikën mendore, me golin e Belottit që mbërriti me vonesë”.

“Ata u mbrojtën me shumë futbollistë dhe ne patëm pak fat. Kam mësuar të mos qaj për humbje, por të shikoj sfidat e radhës. Megjithatë, skuadra lufton të luajë shumë ndeshje”, tha Mourinho.

Tutje trajneri portugez u pyet pse la në pushim disa nga lojtarët kryesorë dhe nuk i inkuadroi nga minuta e parë.

“Por ky është diskutimi i zakonshëm pas çdo ndeshje. Ne kishim disa lojtarë në rrezik, nëse ndoshta do të kalonim, por nëse njëri nga Dybala, Matic ose Abraham do të lëndoheshin dhe qëndronin jashtë për një muaj, çfarë do të bënim? Me Empolin duhet të hyjmë në fushë me dhimbjen e humbjes”, deklaroi trajneri portugez. /Telegrafi/