Telegrafi

Mourinho nuk donte të fliste italisht pas fitores së Romës, kishte me vete një përkthyes

Mbrëmë në kuadër të xhiros së 14-të të Serise A, lojtarët e Romës mposhtën 2-1 Sassuolon dhe Jose Mourinho i befasoi gazetarët pas ndeshjes pasi nuk donte të fliste italisht.

Portugezi me ironi tha se italishtja e tij “nuk është e mirë sa duhet” dhe vendosi ta komentojë ndeshjen në portugalisht dhe për këtë arsye me të ishte edhe përkthyesi i klubit të Romës, shkruajnë mediat në Itali.

“Faleminderit për drejtorin Thiago Pinto dhe pjesën tjetër të menaxhmentit të klubit. Në orët e fundit, ata më dhanë mbështetjen që më duhej për të bërë punën time në mënyrën më të mirë. Skuadra luajti mirë dhe jam shumë i lumtur për lojtarët dhe tifozët e mi”, ka thënë Mourinho në portugalisht dhe më pas triumfin ia dedikoi ndihmësit të suspenduar në skuadrën e trajnerëve, Salvatore Foti, i cili fitoi karton të kuq në ndeshjen e mëparshme ndaj Udineses.

Lexo po ashtu Roma fiton me rikthim ndaj Sassuolos, ngjitet në vendin e pestë

“Fitoren ia dedikoj Salvtore Fotit. Ai sot nuk ishte në skuadër, por punoi shumë dhe fitorja i takon edhe atij”, ka shtuar portugezi.

Mourinho është aktualisht nën hetim nga Federata Italiane e Futbollit pasi ai vuri në dyshim “stabilitetin emocional” të gjyqtarit Matteo Marcenaro para ndeshjes së mbrëmshme.

“Kur fola për stabilitetin emocional, kisha parasysh cilësinë e nevojshme për të performuar në nivelin më të lartë”, u justifikua Mourinho pas ndeshjes dhe mbetet për t’u parë nëse kjo do ta shpëtojë nga ndëshkimi.

Roma aktualisht është skuadra e katërt në Serie A me 24 pikë, madje 11 më pak se kryesuesi Interi. /Telegrafi/