Jose Mourinho me Romën e tij janë duke kaluar nëpër një moment fantastik, ku në gjashtë ndeshjet e para kanë marrë po aq fitore.
Gjiganti italian ka shënuar dy fitore në ‘Play-Off’ të Ligës së Konferencës dhe një tjetër në fazën e grupeve të kësaj gare, derisa tri fitore radhazi kanë marrë në Serie A.
E për formën fantastike të skuadrës së tij ka folur edhe trajneri i Romës, Jose Mourinho, duke thënë se duhet të përmirësohen sidomos në aspektin defensivë.
“Duhet ta analizojmë në çdo ndeshje çfarë shkoi mirë dhe ku i kishim problemet. Mund të bëjmë më mirë në aspektin e cilësisë së lojës dhe në lëvizjet tona mbrojtëse. E vërteta është se, pavarësisht rezultatit, CSKA Sofia kishte momente kur e kontrolloi lojën me ne”, tha Mourinho.
Ai foli edhe për përballjen e sotme ndaj Hellas Veronës, skuadër që ka ndërruar trajner pasi Igor Tudor ka marrë vendin e Eusebio Di Francescos.
“Verona nuk ka pikë pas tri ndeshjeve, por ka mundur të marrë pikë ndaj Interit e Bolognës. Tudor synon që ta rikthejë këtë skuadër në atë që ishte nën urdhrat e Ivan Juric. Jemi përgatitur mirë për këtë sfidë dhe të shohim se çfarë do të ndodh.
Në fund portugezi u pyet edhe për sulmuesin spanjoll Borja Mayoral i cili është i huazuar nga Real Madridi dhe po ka pak hapësira nën urdhrat e Special One.
“Fatkeqësisht FIFA nuk më lejon të aktivizoj 12 lojtarë në të njëjtën kohë. Mayoral është një profesionist fantastik, ka kualitet, është inteligjent dhe i qetë para portës. Gjithsesi mua më pëlqejnë Eldor dhe Tammy gjithashtu. Ai do më shumë minuta dhe koha e tij do të vijë”, përfundoi Mourinho. /Telegrafi/