Roma është rikthyer te fitoret në Serie A pasi ka mposhtur Empolin me rezultat të pastër 2-0.
Giallorosët mbesin kësisoj fuqishëm në luftë për një vend që i dërgon edicionin e ardhshëm në Ligën e Kampionëve, pasi kanë 40 pikë, aq sa Interi në vendin e dytë.
Trajneri i Romës, Jose Mourinho ka folur pas ndeshjes ku ka konfirmuar se në dhjetor ka qenë shumë pranë largimit nga Roma.
‘Special One’ fillimisht ka thënë se nëse do të luanin me formacionin që zbriti në fushë ndaj Empolit do ta eliminonin Cremonesen.
“Në stadium ka njerëz që nuk kuptojnë e të tjerë që e bëjnë një gjë të tillë. Por edhe shtypi, ka njerëz që bëjnë sikur nuk kuptojnë. Nëse do të kisha luajtur me këtë formacion ndaj Cremoneses, do të ishim në gjysmëfinale, por nuk do të kishim fituar sot”, ishin fjalët e Murinjos pas duelit.
Tutje trajneri portugez ka thënë se ishte pranë largimit nga Roma në dhjetor, pasi kishte oferta nga Përfaqësuesja e Portugalisë, por edhe nga ajo e Brazilit.
“Unë mund të largohesha në dhjetor, por qëndrova këtu. Duket gjithmonë sikur po biem në Serinë B, por në fakt jemi duke luajtur kundër skuadrave shumë të forta”, u shpreh tekniku portugez. /Telegrafi/