Roma do të përballet me Veronën në kuadër të xhiros së 26-të në elitën e futbollit italian Serie A.
Giallorosët para kësaj ndeshje janë goditur nga Covid-19, pasi katër futbollistë kanë rezultuar pozitivë, por që klubi nuk i ka zbuluar emrat e tyre.
Trajneri i Romës, Jose Mourinho ka dalë në konferencë për shtyp para kësaj përballje, duke folur për mungesat dhe gjendjen e Nicolo Zaniolos.
Special One ka konfirmuar se do të ketë nëntë mungesa, por që në mesin e tyre nuk do të jetë mesfushori ofensivë, Zaniolo.
“Jo, në nëntë të padisponueshmit nuk është Zaniolo. Ju e dini më shumë se unë, stërvitja është në 17:00, ndeshja është në orën 18:00. Duhet të presim”, tha Mourinho.
“Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë pasi kemi nëntë mungesa, por është e jashtëzakonshme se si në një sezon jo me shumë rezultate të mira vazhdon të sjellë kaq shumë tifozë në stadium. Nëntë mungesa janë shumë, çdo skuadër me nëntë mungesa do të kishte shumë vështirësi”, u shpreh Mourinho.
Tutje tekniku portugez foli edhe për formën fantastike të sulmuesit Tammy Abraham, i cili po shënon rregullisht këtë edicion me Romën.
“Abraham po bën mirë, por mund të bëjë më mirë. Ekipi ka nevojë që ai të bëjë më shumë dhe anasjelltas. Ky është ndërveprimi. Është një lojtar i lindur dhe i rritur në një futboll krejtësisht tjetër, nuk ishte e lehtë të largohej nga Anglia. Por, po bën mirë. Shpresoj të bëjë më shumë, ka potencial për ta bërë këtë gjë”, tha Mourinho. /Telegrafi/