Site icon Telegrafi

Mourinho: Jemi të trishtuar, por do të fitojmë

Konferenca për shtyp e trajnerit të Manchesterit, Jose Mourinho, në vigjilje të finales së Europa League, është anuluar.

Shkak me sa duket është bërë sulmi kamikaz që ka ndodhur në “Manchester Arena”, ku mbetën të vrarë 22 persona.

“Jemi shumë të trishtuar për ngjarjen tragjike të natës së kaluar. Mendimet dhe zemrat tona janë me viktimat dhe familjarët e tyre”, tha Mourinho në Twitter.

Trajneri portugez thekson se kjo nuk është aspak klima e duhur për të përballuar një finale, por ka besim se ekipi dhe njerëzit në Manchester do t’ia dalin të përballojnë si duhet këtë situatë.

“Kemi një punë për të bërë dhe do të shkojmë në Suedi për t’a çuar në fund. Kjo nuk është klima e duhur për të përgatitur dhe përballuar një finale, pasi nuk mund të jemi plotësisht të përqëndruar te ndeshja. Gjithsesi kam besim se do të bëhemi bashkë dhe do t’ia dalim”, shkroi portugezi.

Përpara stërvitjes së fundit në Stokholm, futbollistët e Manchester United u bashkuan në mesin e fushës dhe mbajtën një minutë heshtje në nder të viktimave të sulmit të djeshëm.

Exit mobile version