Jose Mourinho e ka marrë hakmarrjen e tij të shumëpritur ndaj Ole Gunnar Solskjaerit pas ndeshjes së të dielës në Old Trafford.
Tottenham Hotspur e nëpërkëmbi Manchester Unitedin me rezultat 6-1 dhe natyrisht se ky rezultat e ka gëzuar ish-trajnerin e Djajve të Kuq.
Në humbjen e Spursave nga Unitedi në dhjetor të vitit të kaluar, Solskjaer ia përkëdheli kokën portugezit në atë që u etiketua si “përkëdhelja e këlyshit” në mediat sociale.
Pas dygolëshit të Marcus Rashford, Morinho dhe norvegjezi u përshëndetën në fund të ndeshjes, mirëpo trajneri i Djajve të Kuq nuk rezistoi që të mos ia përkëdhelte kokën.
Asokohe, Mourinho nuk kishte folur për atë që ndodhi në fund të takimit, por e komentoi vetëm humbjen. Mirëpo, duket se ai nuk e ka harruar atë veprim të homologut të tij.
Pas fitores së thellë të dielën, portugezi ia dha dorën Solskjaerit para se t’ia përkëdhelte kokën, gjë që nuk kaloi pa u vërejtur nga përdoruesit e rrjeteve sociale.
“Pritej që Mourinho t’ia përkëdhelte kokën”; “Mourinho nuk harron kurrë”; “Mourinho ia ktheu përkëdheljen. E dua këtë njeri; “Mourinho e ka mbajtur imazhin e përkëdheljes në kokën e tij për 12 muaj” – ishin disa prej komenteve në Twitter. /Telegrafi/
Tottenham BEAT Manchester United 6-1 at Old Trafford! 😳 pic.twitter.com/F8By6SrJF6
— Football Daily (@footballdaily) October 4, 2020