Site icon Telegrafi

Mourinho flet pasi pësoi humbjen e parë në Serie A: Nuk kemi luajtur mirë

Roma ishte skuadra më në formë italiane deri ditën e djeshme, kur pësoi humbjen e parë.

Në fakt ishte dështimi i parë i Jose Mourinhos nën drejtimin e Romës, pasi kishte marrë gjashtë fitore radhazi.

Verona që kishte larguar trajnerin Esuebio Di Francesco dhe kishin marrë kroatin Igor Tudor arriti të fitoj në këtë takim me rezultat 3-2.

Jose Mourinho ka folur pas ndeshjes për këtë disfatë duke thënë se e priste një duel të vështirë.

“E dija që Verona ka shumë cilësi dhe do të ishte e vështirë të luaje kundër tyre, veçanërisht pas ndryshimit të trajnerit që sjell një reagim në aspektin psikologjik. Kjo u pa sonte”.

“Stili i lojës së Tudor është i ngjashëm me atë që Hellas Verona zhvillonte me Ivan Juric në stol, ndaj edhe për lojtarët nuk ishte e vështirë të përshtateshin me të”.

“Ne u përpoqëm dhe për këtë nuk mund të ankohem, por kemi humbur shumë duele individuale. Hellas pati më shumë intensitet dhe do të më duhen disa orë të shikoj videon e ndeshjes për të kuptuar atë që ndodhi në fushë”, tha Mourinho.

Sipas Special One, ai nuk është befasuar aspak nga reagimi i Veronës që mori edhe fitoren.

“Shumë situata nuk i interpretuam si duhet. Zaniolo nuk kishte për detyrë të shtynte përpara, por duhet të shkonte thellë dhe të mbulonte Karsdorp”.

“Ishte e qartë që Verona do të reagonte, pasi ishte një ndeshje e hapur. Personalisht nuk befasohem aspak. Ne duhet të përballemi më mirë me momentet e vështira, sepse nuk mund të kemi gjithmonë lojën nën kontroll”, deklaroi Mourinho. /Telegrafi/

Exit mobile version