Telegrafi

Mourinho fitimtar ndaj Van Gaal

Mourinho ishte protagonisti i deklaratave të tij, duke dhënë indikacionet më të fuqishme se epoka e tij tek Interi po merr fund, por në çfarë mënyre- Scudetto, Kupa e Italisë dhe Liga e Kampionëve- është rezultati i luftës së portugezit. Kjo luftë, është nisur nga vetë Italia, që mezi priste që futbollistët e Interit të dështojnë. Megjithatë, Mourinho krijoi një mentalitet ‘ne ndaj të gjithëve’, ndërsa kjo u vërtetua të jetë receta e suksesit.

‘Të veçantit’ kurrë nuk do t’i mohohet ajo çfarë i dha Italisë, Ligën e Kampionëve për herë të parë pas vitit 2007, Interit të parën pas 45 vitesh, me një futboll të pastër italian. Gjëja kryesore që mund ta kënaqë atë është se u tregoi italianëve se si ta bëjnë atë, ndërsa ai mund të largohet kokëlartë nga Apeninet, me viktimat e lëna prapa shpinës dhe me Italinë që nuk e di se çfarë trajneri ka lënë të ikë nga futbolli i saj.

Mourinho ia solli Morattit titullin e shumëkërkuar, ndërsa ky i fundit ia plotësoi të gjitha dëshirat në merkaton e verës së kaluar, duke sjellë lojtarë si Milito, Eto’o dhe Sneijder. portugezi ishte bosi i ekipit, ndërsa kjo u pa dhe në Bernabeu. Shndërroi një Eto’o në mesfushor krahu, ndërsa Chivun në një mbrojtës qendror. Nevoja individuale për triumf, te Mourinho shfrytëzohet në dobi kolektive.

Diego Milito ishte njeriu i jashtëzakonshëm në shfaqjen e Interit, që demonstroi një paraqitje të pastër, klasike të futbollit me kundërsulme. Italianët nuk e patën më shumë topin në këmbët e tyre, por kur ishte në këmbët e tyre, ata e shfrytëzuan. Pasimet e ‘Il Principes’ bënë që të gjendeshin Sneijder dhe Pandev para dy golave tjerë, kjo tregon fuqinë e argjentinasit në ndeshjet e mëdha. Ishte taktika e Mourinhos që e la atë të shkëlqejë, në vend të Eto’o.

Plani i Mourinhos u implementua në mënyrë të shkëlqyer në fushë, duke i shkaktuar agoni sulmit të drejtpërdrejtë të barvarezëve. Gjermanët ishin dominues, por sa vinin te gjashtëmbëdhjetëmetërshi, ata përballeshin me 10 lojtarë zikaltër. Van Gaal pranoi para ndeshjes se ekipi i tij nuk është ndër ekipet më të mira të kontinentit, ndërsa kjo u dëshmua. Bayernit i mungoi një ‘plan B’, ndërsa inkuadrimet e Miroslav Kloses dhe Mario Gomezit, treguan edhe njëherë se Bayerni është larg ekipit të formësuar me klas gjenial nga Mourinho. /Telegrafi/