Telegrafi

Mourinho e shikoi në autobus fitoren e Romës ndaj Spezias, nuk shkoi në stadium

(Foto: Instagram/nunosantosgkcoach)

Jose Mourinho e ka shikuar fitoren e Romës ndaj Spezias brenda autobusit të skuadrës, duke qenë se ishte i pezulluar për ndeshjen e Serie A.

Trajneri i Giallorossëve ishte pezulluar për dy ndeshje për shkak të ofendimeve kundrejt gjyqtarëve në barazimin (2-2) ndaj Hellas Veronas që u zhvillua më 19 shkurt.

Portugezi mungoi në takimin e të dielës, të cilin Roma e fitoi me një gol të vonshëm të Tammy Abraham nga pika e bardhë.

Mourinho e ka pasur mundësinë të ulej në një zonë VIP në Stadio Alberto Picco, por vendosi të qëndronte në autobusin e skuadrës dhe ta ndiqte ndeshjen përmes iPad-it së bashku me trajnerin e portierëve, Nuno Santos.

Lexo po ashtu Iu drejtua gjyqtarit të ndeshjes si Calciopoli, Jose Mourinho merr dënimin me dy ndeshje

Ky i fundit e ka publikuar një fotografi të tyre duke e shikuar takimin përmes tabletit, ndërsa e ka shoqëruar me përshkrimin: “Burgu kishte iPad TV”.

Trajneri i Romës do të mungojë edhe në ndeshjen ndaj Atalantas që zhvillohet më 5 mars në Stadio Olimpico. /Telegrafi/