Jose Mourinho thotë se puna te Tottenham Hotspur, është puna më e vështirë që ka marrë që nga drejtimi i Portos para 18 vitesh.
Portugezi ka theksuar se angazhimi te Spursat nga muaji nëntor është shoqëruar me fat të keq dhe probleme të shumta që nga fillimi.
“Shikoni, nëse dëshironi të dini se çfarë kam dashur të bëj këtu, shikojeni lojën time të parë – ndaj West Hamit (fitore 3-2). Ajo ishte mënyra ime si mendoja ta zhvilloja skuadrën. Duke u mbrojtur me katër lojtarë, duke sulmuar me tre të tjerë”.
“Por, ajo ishte dita e parë e pafat, lamtumire Ben Davies. Mendoj se gjithçka nisi me Hugon. E humb kapitenin për një kohë aq të gjatë dhe pastaj, në rastin tim, e humba Benin kur mendova se kam diçka këtu”, citon The Sun fjalët e Mourinhos.
Nëse kjo nuk do të mjaftonte, sulmuesi Harry Kane dhe mesfushori Moussa Sissoko do të mungojnë në pjesën më të madhe të sezonit, ndërsa transferimi i shtrenjtë, Tanguy Ndombele, nuk është në kondicionin e duhur për lojë.
“E humb edhe një lojtar tjetër dhe e humb Kanen dhe nuk ke sulmues… Prandaj në vend të ndërtosh diçka, ndodhesh përballë një enigme. Po përpiqemi të përgatisim një skuadër që mund të luajë në ndeshjen e radhës”.
“Është hera e dytë që e marr një skuadër në mes të sezonit (duke kujtuar Porton në vitin 2002). Vetëm hera e dytë… Porto nuk po fitonte, por ishte fundi i një epoke… Ishte tjetër kohë te Porto”, ka shtuar portugezi. /Telegrafi/