Telegrafi

Mourinho ankohet për fondin e varfër të futbollistëve, paralajmëron transferime në janar

Jose Mourinho është rikthyer në Itali për ta marrë drejtimin e Romës, por aventura e tij nuk po shkon ashtu siç ka menduar.

Special One ka hasur në probleme të mëdha, sidomos në fondin e futbollistëve që ka në dispozicion.

Portugezi ka thënë se kanë mungesë të lojtarëve pasi disa nga kryesorët që ka janë të lënduar.

“Kur sheh organikën tonë, trembesh pak, sepse kemi shumë mungesa. Por në një situatë normale, skuadra ka nevojë vetëm për 2-3 pozicione për tu përmirësuar. Kemi edhe tre ndeshje për të luajtur deri në janar dhe do të mundohemi që të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur”, u shpreh Mourinho.

Tutje Mourinho tha se në janar do të transferojnë futbollistë, edhe pse në verë tentuan të marrin një mesfushor, por që ishte e pamundur.

“Dua të theksoj se nuk kam mbetur i zhgënjyer nga afati kalimtar i verës. Nuk është se klubi nuk donte të më jepte një mesfushor që kërkova, por nuk mundëm që të merrnim atë që donim”.

“Në janar do të hyjmë në tregun e transferimeve, por nuk do të jetë një investim i madh. Do të bëhet diçka, për ti dhënë ekuilibër skuadrës. Unë dhe drejtuesit jemi në një linjë”, ka thënë trajneri portugez. /Telegrafi/