Site icon Telegrafi

Motoçiklistët vullnetarë që mbështetën shuarjen e zjarreve pranojnë mirënjohje nga kryetari Totaj  

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj të premten ka ndarë mirënjohje për motoçiklistët Rehat Haliti dhe Almedin Ismaili për angazhimin e tyre të dalluar gjatë muajit gusht në mbështetje të zjarrfikësve për shuarjen e zjarreve në Prevallë.

“Me kënaqësi të veçantë ndamë sot mirënjohje për z. Rehat Haliti dhe z. Almedin Ismaili për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në situatën emergjente të zjarrit të shfaqur në Prevallë ditë më parë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Brigadën e Zjarrfikësve të Prizrenit”, ka bërë të ditur Totaj.

Sipas tij, përkushtimi i këtyre vullnetarëve, por edhe i akterëve tjerë është shembull që duhet ndjekur, raporton Telegrafi.

“Përkushtimi i tyre dhe i të gjithë akterëve të përfshirë për sigurinë e mirëqenien e komunitetit është shembull i shkëlqyer për të gjithë”, është shprehur Totaj.

Motoçiklistët Ismaili dhe Haliti në mënyrë vullnetare janë angazhuar për shuarjen e zjarreve, duke mbështetur përpjekjet e zjarrfikësve në Parkun Kombëtar Sharri.

Madje ky angazhim është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare si Reuters. Aty është përshkruar se si Smaili dhe shokët e tij me motoçikleta për ditë të tëra kanë transportuar ujë te zjarrfikësit për shuarjen e flakëve.

Zjarret në Parkun Kombëtar Sharri, kryesisht në zonën e Oshlakut, Majën e Arnenit dhe në zonën e Prevallës sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kanë shkaktuar dëme të shumta, marrë parasysh ‘vlerën natyrore që bartin këto ekosisteme të rralla të rrobullit’. /Telegrafi/

Exit mobile version