Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, ka angazhuar ushtrinë që të ndihmojë zonat e prekura nga moti i ligë – ku pas shirave të rrëmbyeshëm rrugët e qyteteve janë shndërruar në “lumenj”.
Siç raporton BBC, televizioni publik KCTV ka transmetuar pamjet ku shihen shtëpitë e mbuluara nga uji deri në kulme, kurse urat janë dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm, transmeton Telegrafi.
Mbi 1.000 shtëpi janë shkatërruar, kurse 5.000 qytetarë janë evakuuar. Toka bujqësore është mbuluar nga uji, e lideri verikorean në qershor pati njoftuar se vendi po ballafaqohet me mungesë të madhe të ushqimit.
Sipas televizionit publik të këtij vendi, në disa rajone janë regjistruar reshje rekord të shiut – ku thellësia e ujit mbi sipërfaqen e tokës ka shkuar mbi 50 centimetra si rezultat i shirave të rrëmbyeshëm që nuk po ndalen prej ditësh. /Telegrafi/