Telegrafi

Moti, ajri dhe krimet ndikojnë në lumturinë e njerëzve

Sipas studimit, njujorkezët mund të duken të shkujdesur në përgjithësi, por në veçanti nuk janë të lumtur.

Në kontrast, banorët e Luizianës janë mjaft të kënaqur ndërsa amerikanët në pjesë të tjera të vendit janë aty midis – as të gëzuar dhe as të dëshpëruar.

Gjatë studimit, ekspertët krahasuan dy grupe të dhënash të grumbulluara me dy metoda të ndryshme anketimi. Sipas metodës së parë, njerëzve u kërkohej të përcaktonin sa të kënaqur ishin me jetën e tyre. Pastaj ekspertët shqyrtuan faktorët cilësorë të jetës, si p.sh. sasinë e reshjeve të shiut, nivelin e krimeve me dhunë, kohën që u duhej njerëzve për të shkuar në punë dhe shpenzimet në formë taksash për arsim dhe infrastrukturën rrugore.

Në fund doli se rezultatet nga këto metoda lidheshin me njëra tjetrën. Sipas të dhënave të studimit, botuar në revistën Science, njerëzit janë më të lumtur në shtetet ku cilësia e jetës është e lartë si në Luiziana, Havai dhe Alabama. Njujorkezët ishim më të palumturit, pasuar nga banorët e shteteve Konektikat, Kaliforni, dhe Miçigan.

Ekspertët thonë se këto nivele të lumturisë mund të ndryshojnë. Për shembull niveli i lumturisë në Luiziana ishte matur përpara se ky shtet të prekej nga uragani Katrina. Por në thelb, studimi tregoi se moti me diell, ajri i pastër dhe niveli i ulët i krimeve prodhon shtetas të lumtur. /VoA/Telegrafi/